2010-12-13 16:05:28

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot bekon shtatoret e Krishtit Fëmijë: “Koha e Ardhjes na fton ta presim Zotin me durim”.


(13.12.2010 RV)Në një epokë, që kërkon ndryshime të vazhdueshme, Koha e Ardhjes na fton ta presim Zotin me durim e shpresë: këtë theksoi Benedikti XVI në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa ripohoi se shpresa e vërtetë, e cila nuk të zhgënjen kurrë, është ajo që bazohet mbi besnikërinë e Zotit.RealAudioMP3
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, sipas traditës, bekoi shtatoret e Foshnjës Hyjnore për Shpellat e Betlehemit të oratoreve e të famullive romake, që i mbanin në duar fëmijët e shkollave. Ishin më se 2 mijë fëmijët, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, me simbolet e Solemnitetit të afërt në duar. Me tollumbacet e tyre ngjyra-ngjyra, e mbushën me ylbere qiellin e zymtë të ditës së ftohtë dimërore, duke thelluar atmosferën e festës, krijuar tashmë në zemër të Sheshit nga Bredhi i stolisur i Krishtlindjes.

Të jini, pra, të durueshëm, o vëllezër, deri në ditën e Ardhjes së Zotit: Papa u ndalua tek ky fragment, shkëputur nga Letra e Shën Jakut, që sapo ishte lexuar në liturgjinë e së dielës, për të vënë theksin mbi vlerën e durimit. Koha e Ardhjes – reflektoi Ati i Shenjtë – na bën thirrje ta forcojmë me ngulm këtë vlerë shpirtërore. Durimi dhe qëndresa e shpirtit, na ndihmojnë të mos dëshpërohemi, në sa presim një të mirë, që vonon të vijë. Nuk duhet ta humbasim shpresën, pra. E jo vetëm që duhet ta presim me durim këtë të mirë, por duhet edhe t’ia përgatisim rrugën me besim të zellshëm:
“Më duket se në ditët tona është më e rëndësishme se kurrë të nënvizohet vlera e qëndrueshmërisë dhe e duresës, virtyte të zakonshme për etërit tanë, që duket sikur e kanë humbur popullaritetin, në një botë që ngre në qiell ndryshimin dhe aftësinë për t’u përshtatur sa më shpejt e sa më mirë, në situata të reja, gjithnjë në ndryshim”.
Duke u kthyer përsëri tek Letra e Shën Jakut, Papa rikujtoi shembullin e bujkut, i cili pret me durim frytin e çmuar të tokës. Krahasim shumë shprehës, nënvizoi Ati i Shenjtë:
Bujku nuk është fatalist, por model i një mendësie, që bashkon me drejtpeshim fenë e arsyen sepse, nga njëra anë i njeh ligjet e natyrës dhe e kryen mirë punën e vet, ndërsa nga ana tjetër, mbështetet në Provaninë hyjnore, nga që disa gjëra nuk janë në duart e tija, por në ato të Zotit”.
Qëndrueshmëria e durimi – vërejti Benedikti XVI – janë pikërisht sintezë e impenjimit të njeriut dhe e besimit tek ndihma e Zotit. Si mund ta bëjmë edhe ne këtë? Si mund t’i forcojmë zemrat tona, krejt të brishta? Si mund t’i ruajmë, të mos thyhen, kur kultura, që i rrethon, i rrezikon nga të katër anët?
“Ndihma nuk na mungon: është Fjala e Zotit. Në të vërtetë, në sa gjithçka kalon e ndryshon, Fjala e Zotit nuk kalon. Në se ngjarjet e jetës na bëjnë të ndjehemi të humbur e çdo siguri na duket e kotë, e kemi një busull, që na tregon rrugën; një spirancë e kemi, që na ndihmon të mos përfundojmë në fund të detit”.
Na ofrohet një model – vijoi Papa - është ai i profetëve, i njerëzve që Zoti i thirri të flasin në emër të vet:
Profeti e gjen gëzimin e forcën në Fjalën e Zotit, e, ndërsa njerëzit shpesh e kërkojnë lumturinë në rrugë, që më pas dalin të gabuara, ai kumton shpresën e vërtetë, atë që nuk të zhgënjen, sepse ngrihet mbi themelin e besnikërisë së Zotit”.
Në përfundim Shenjtëria e tij kujtoi se çdo i krishterë, për virtyt të Pagëzimit, fiton dinjitet profetik dhe uroi që të gjithë ta rizbulojnë e ta ushqejnë këtë dinjitet, duke dëgjuar vazhdimisht me vëmendje të madhe Fjalën Hyjnore.
Pas përfundimit të lutjes mariane, Papa bekoi shtatoret e Krishtit Fëmijë për Shpellat e Betlehemit, në ndërtim e sipër, që fëmijët romakë i kishin sjellë, sipas traditës, në Shesh:
“Të dashur miq të rinj, kur ta vendosni Foshnjen, në shpellë a në kasolle, thoni një lutje për Papën e për ndjetet e tij. Faleminderit! I përshëndes edhe prindërit tuaj, mësuesit e katekistët; falënderoj edhe Qendrën e Oratoreve Romake për nismën, si dhe miqtë e Dispanserisë pediatrike të “Shën Marisë”.
Duke përshëndetur shtegtarët e besimtarët spanjollë, Papa kujtoi, në përfundim, festën e djeshme të Zojës së Guadalupes, tejet e dashur për popullin meksikan e për të gjithë Amerikën Latine. Me ndihmën e Marisë, tha Ati i Shenjtë, mund ta jetoni këtë kohë gëzimi e shprese, duke u impenjuar në veprimtari bamirësie, në ndihmë të njerëzve më nevojtarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.