2010-12-11 12:58:03

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


Te dielen12 dhjetor, Kisha kremton të dielën e 3-të të Kohës së Ardhjes, kohë liturgjike që paraprin e përgatit festën e Mishërimit të Zotit, Krishtlindjen. Po sot më 12 dhjetor, kalendari kishtar përkujton edhe festën të Lumes Mari Virgjër të Guadalupes e shën Gjovanën de Shantal.
Liturgjia e ditës na kujton se Zoti na fton të kthehemi në rrugë të drejtë, për të gjetur ngushëllim. E kur e kuptojmë se nuk jemi të aftë ta përballojmë jetën pa ndihmën e Zotit, ai na jep forcë e krahë shqiponjash, për të fluturuar drejt lartësive.
Nesër e hënë, 13 dhjetor, bie festa e Shën Luçisë së Sirakuzës, virgjër e martire (shqipëruar Drita) dhe e Shën Aristonit, martir i Portos.
Liturgjia e së kremtes na kujton se Zoti është i durueshëm e i pasur me hir. Prandaj njerëzit vijojnë ta kërkojnë në shekuj, por nganjëherë nuk arrijnë ta gjejnë, sepse për ta gjetur, duhet kërkuar ndërmjetësimi i lajmëtarëve të tij, si Shën Gjon Pagëzuesi. Përndryshe njeriu i ngjet atij që duke pasur etje, e kërkon ujin atje ku nuk gjindet.
Në rrjedhë shekujsh Zoti i është dëftuar njerëzve shumë herë e në shumë mënyra, por ata e patën të vështirë ta pranojnë. Shën Gjon Pagëzuesi nuk i bindte, sepse tepër i ashpër, ndërsa Jezusi, pse tepër i butë. Ky është reflektimi që na sjell në mend, të martën e ardhshme 14 dhjetor, festa e Shën Gjonit të Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan i zbathur.
Të mërkurën më 15 dhjetor kalendari përkujton Shën Valerianin, ipeshkëv në Afrikë e martir, i cili na nxit të meditojmë mbi rëndësinë e mesazhit të Shën Gjon Pagëzuesit, krahasuar nga Krishti me Elinë. E kjo, sepse Shën Gjoni na fton të pendohemi e të kthehemi plotësisht në rrugën e Zotit.
Të ejnte që vjen më 16 dhjetor, bie përkujtimi i shën Davidit mret e profet dhe shën Adelajdës perandoreshë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti
Të premten më 17 dhjetor, kalendari përkujton Shën Danielin profet; shenjtorët Anania, Azaria e Mizaeli; Shën Gjonin eMatës, meshtar, themelues i Trinitarëve dhe Shën Gjaçintin Kormié, meshtar dominikan. Danieli me profecinë e tij për ardhjen e një mbretërie të re, krejtësisht të ndryshme nga të tjerat, foli për atë mbretëri që u jepet të zgjedhurve të Hyjit.
Të shtunën e ardhshme më 18 dhjetor, bie përkujtimi i festës së shën Malakisë profet e të shën Gacianit ipeshkëv i Tur. Liturgjia e ditës na fton të kundrojmë Engjëllin e Tënzot i cili nuk ia kumton lindjen e Mesisë vetëm Marisë, por edhe Jozefit, duke e ftuar të mos kishte frikë, por t’i besonte plotësisht planeve misterioze të Hyjit.
Të dielën që vjen më 19 dhjetor, Kisha kremton të dielën e 4-të të Kohës së Ardhjes, e po më 19 dhjetor kalendari Kishtar përkujton edhe Papëve Shenjtër Urbanit dhe Anastasit.
Pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij, janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji, me dhuratën e shërimit, do të na bëjë jo vetëm të ecim, por edhe të vrapojmë; jo vetëm të flasim, por edhe të bërtasim, kur është nevoja.







All the contents on this site are copyrighted ©.