2010-12-11 12:57:15

Më 12 dhjetor kalendari Kishtar kremton festën e Zojës së Guadalupes


Zoja e Guadalupes, pavarësisht nga ndryshimet e thella që vërehen rreth saj, vijon të jetë edhe sot pikë e sigurt referimi për meksikanët e të gjitha etnive, të të gjitha konfesioneve fetare e për mbarë Amerikën Latine. Një tregim i lashtë guadalupan i indianëve rrëfen: "Paraardhësit tanë i ofronin Zotit zemra prej mishi, të shkulura nga kraharori njerëzor, që në botë të kishte harmoni. Ndërsa Gruaja, që nderohet në shenjtërore, pa na i shkulur nga gjoksi, na bën t'i lemë vetë zemrat tona në duart e saj, që ajo, pastaj, t'ia paraqesë Zotit të vërtetë!”.
Mijëra shtegtarë nga mbarë bota gjunjëzohen para figurës së Zonjës, për të vënë në duart e saj zemrën e tyre e të mbarë Kishës. Luten e kujtojnë vitin e largët 1531, kur Virgjëra Mari deshi t 'i dukej papritmas Huan Diegos, fshatarit të varfër të fisit Chichimek, të cilin ipeshkvi i vendit nuk deshi ta besonte - për ta bërë lajmëtar të Ungjillit. E mbi mantelin e Huan Diegos la fytyrën e saj, një fytyrë metise, origjinën e së cilës shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë.
Zoja e Guadalupes, as e bardhë e as indiane, por metise, - ka thënë kryeipeshkvi i Qytetit të Meksikos, kardinali Norberto Rivera Carrera - është një mesazh për bashkim ndërmjet popujve të ndryshëm, të pajtuar në fenë e përbashkët në Krishtin.
Bazilika, që na kujton këtë ngjarje, sipas traditës, nisi të ndërtohej pasi Zonja e Bekuar, ndërmjet 9 e 12 dhjetorit 1531, iu duk pesë herë me radhë indianit Huan Diego, një ndër vendasit e parë të kthyer në fenë e krishterë. Emri Guadalupe vjen nga fjala indiane "Coatlaxopeuh" "Ngadhënjyesja mbi gjarprin": më 1737 Zoja e Guadalupes u shpall "Pajtore e Meksikës"; më 1910 "Pajtore e Perandoreshë e Amerikës", më 1935 edhe e Filipineve. Prandaj në të hyrë të Bazilikës shpalosen 24 flamujt e vendeve amerikane dhe ai i Filipineve.
Duke pasur parasysh dëmtimet e rënda që kishte pësuar bazilika e vjetër nga tërmetet e herë pas hershme, Konferenca Ipeshkvnore vendosi të ngrinte një shenjtërore të re: guri i saj i parë u vendos më 12 dhjetor 1974. Mbi këtë gur do të lartohej shenjtërorja e sotme, e cila i ngjet çadrës që Moisiu ngriti në këmbët e malit Sinai sipas urdhrit të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.