2010-12-11 10:16:51

Atë Lombardi: njoftimet që përmbajnë dokumentet e përhapura nga Uikiliiks, nuk kanë të bëjnë me vetë Vatikanin


Njoftimet, që përmbajnë dokumentet e përhapura nga Uikiliiks, të cilat kanë të bëjnë me Vatikanin, “shprehin perceptimet dhe opinionet e atyre që i hartuan e nuk duhen konsideruar në asnjë mënyrë si opinione të vetë Selisë së Shenjtë”- këtë pohon drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, duke u përgjigjur për të rejat e Uikiliiksit lidhur me qëndrimin e Selisë së Shenjtë ndaj disa problemeve të mprehta aktuale.
Pa hyrë në vlerësime për situatën jashtëzakonisht të rëndë, që krijoi botimi i një numri tejet të madh dokumentesh sekrete e rezervate, dhe për pasojat që mund të ketë ky botim, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë vëren se një pjesë e dokumenteve të publikuara kohët e fundit nga Uikiliiks janë raporte dërguar Departamentit të Shtetit të SHBA nga ambasada amerikane pranë Selisë së Shenjtë.
Natyrisht - shton atë Lombardi – këto raporte pasqyrojnë perceptimet dhe opinionet e atyre që i hartuan e nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë si shprehje të vetë Selisë së Shenjtë e as si citime të zyrtarëve të saj. Besueshmëria e tyre - përfundon drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit – duhet parë me rezervë e me shumë maturi, duke pasur mirë parasysh këtë rrethanë.







All the contents on this site are copyrighted ©.