2010-12-11 12:02:23


Dëgjues të nderuar ia përsëri në takimin javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe takohemi me Liturgjinë Hyjnore të Fjalës së Zotit të dielës së 3-të të kohës së Ardhjes, kohës kishtare që paraprijnë dhe na përgatitë për kremtimin e Krishtlindjes.
Ungjilli i kësaj së diele na paraqet dy piktura apo fotografi përplotësuese: kush është Jezusi e kush është Gjon Pagëzuesi. E është Shën Gjon Pagëzuesi që na udhëheq në takimin tonë me Krishtin. Ungjilli i kësaj së diele na paraqet Gjonin në një situat të re. Tani ai nuk është më në shkretëtirë, tani nuk mund më të flas, tani nuk ka përreth vetes turmën e njerëzve që kërkon pagëzimin e pendesës...Tani Gjoni është vetëm: është në burgun e Makerontit në veri-lindje të Detit të Vdekur: një burg çnjerëzor ndërtuar në një vend të tmerrshëm. Duke veshtruar Gjonin në këtë gjendje, na kujtohen fjalët e Habakukut profet:
“Ti, që syt i ke aq të pastër,
sa që s’mund ta shikojnë të keqen,
paudhësinë s’mund ta kundrosh
pse i shikon të mbrapshtët dhe hesht
kur i keqi e përpin më të drejtin?” (Hab. 1,13).
Eshtë ankimi i miopisë e i nxitimit tonë për drejtësi. Vërtet, Zoti nuk i dënon profetët e vet. Zoti e lejon të keqen, sepse brenda së keqes Ai është i aftë të ngushëllon, është i aftë të shpëton në pritje të ditës kur do të shfaqet e tërë drejtësia e Tij.
Na kujtohen fjalët e Jakut apostull lidhur më këtë: “Jini, pra, të durueshëm, o vëllezër, deri në ditën e Ardhjes së Zotit! Jam edhe bukju e pret frytin e çmueshëm të tokës i durueshëm me të derisa ta kapë shpiu i lashtë dhe i voni. Jini të durueshëm edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse Ardhja e Zotit u afrua! Mos u ankoni... Merrni për shembull të vuajtjes dhe të duresës profetët...(Jk 5,7-8.10).
Kështu, në leximet biblike të kësaj së diele, mund të themi Letra që Zoti na dërgon këtë të diele, është një thirrje t’i gëzohemi ardhjes së Tij në historinë e në jetën tonë njerëzore; na thërret të jemi të durueshëm deri në ditën e Ardhjes së Tij, porsi bujku që me durim e pret frytin e çmueshëm të tokës që e ka punuar dhe kultivuar.
Pra, me pak fjalë, leximet biblike të dielës së 3-të të kohës kishtare të Ardhjes na ftojnë t’i gëzohemi afrimit të Ardhjes së Zotit e sipas shembullit të shën Gjon Pagëzuesit, t’i hetojmë, t’i dallojmë, t’i lexojmë dhe kuptojmë shenjat e pranisë së Zotit në realitetin tonë të përditshëm në këtë Prani të gjejmë ngushëllimin e shpërblimin.
Pjesa ungjillore e kësaj së diele nga shën Mateu është përplot me pyetje, ashtu siç është edhe vet jeta jonë. A je ti Ai që duhet të vijë? –është pyetja që Gjon Pagëzuesi nga burgu ku gjendet, përmes nxënësve të vet ai bënë Jezusit, Atij të cilin e tregoi me gisht para popullit në Lumit Jordan porsi Qengjin e Zotit që shlyen mëkatet e botës.
Zoti duhet të vijë, sepse ndryshe historia çorientohet, e humbas orientimin e për njeriun nuk mund të ketë udhë, rrugëdalje as yll polar që t’i prijë shtigjeve të jetës. Zoti duhet të vijë për t’i dhënë përgjigjen pyetjeve jetike të njeriut e, që njeriu të mos zhgënjehet e të gjitha pritjet, të gjitha shkretëtirat e të gjitha errësirat njerëzore të davaritën me Dritën e Foshnjes së Betlehemit.
Duhet ta falënderojmë Gjon Pagëzuesin për fenë dhe besimin e tij. Ai edhe pse pëson zhgënjim nuk dorëzohet; e me të gjitha dyshimet që njeh e përjeton, bënë që përmes tyre të lindin kërkues të së Vërtetës; e njerëzit të bëhet dëgjues e pritës të risisë së Zotit në realitetin e tanishëm historik. E Fjala Hyjnore na tregon se Zoti i plotëson premtimet e veta por jo pritjet tona.
Jezusi e kupton dramën e Gjon Pagëzuesit, madhështinë e tij tragjike: i Prituri nuk i përgjigjet pritjeve të tij! E Jezusi jep një përgjigje, por delikate, që krijon gëzim e na lënë të lirë. Nuk fletë për veten, por për shenjat, për të njëjtat shenja të parafolura nga profeti Izaia, për shenja të bukura e të varfra, të ndriçuara e të ligshta ( dobëta). Është e vërtetë se të verbrit shohin, se të shurdhit dëgjojnë, se Zoti i ka zgjedhur e është në krahun e të varfrëve, por gjithashtu është e vërtetë se ende sot ka legjione të tëra të verbërish që nuk janë shëruar, të cilët nuk e kanë fituar pamjen e syve, ka ende shumë të sëmurë tek portat, profetë në burgje; ka më shumë njerëz që vuajnë tepër, nga ata që janë shëruar në mënyrë të mrekullueshme. Mirëpo këto janë shenja të farës së posa mbjell të një të Ardhjeje që presim plot shpresë e bindje. Ashtu sikurse edhe gjaku i martirëve që është farë e Zotit në historinë njerëzore, që e bëjnë të besueshme Dashurinë e Zotit që mishërohet çdo ditë afër nesh, në ne, mjafton ta shikojmë dhe lexojmë jetën me sytë e fesë e të zemrës, e atëherë do t’i prekim edhe ne me dorë shenjat e pranisë së Emanuelit – të Zotit me ne.

LITURGJIA E FJALËS
Leximi i pare (Is 35, 1-6.8.10)

Profeti Isaia shpall që Hyji do të vijë. Ai na thotë: pranvera po lulëzon, shërimi është afër, guximi po kthehet, njeriu po gjen lirinë e tij të vërtetë, mërgimtarët kthehen në atdhe, vëllezërit që ishin larg takohen.
Sytë e të verbërit hapen, shurdhi mund të dëgjojë, memeci bërtet me gëzim. Hyji ynë na vjen në takim.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papërshkueshme, le të galdojnë shkretëtira e të lulëzojë si lili! Le të bulëzojë e le të lulëzojë, le të gazmojë, në hare të shpërthejë! Iu dhurua lavdia e Libanit, e Karmelit stolia dhe e Saronit! Do ta shohin lavdinë e Zotit, shkëlqimin e Hyjit tonë!
Përtëritni në fuqinë e duarve të lodhura, fuqi jepni gjunjve të marrakotur! Thoni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behi shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!” Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkreti. Do të ketë shteg e do të ketë udhë, do të quhet udha e shenjtë: i papastri nëpër të s’do të kalojë, për ta do të jetë udhë e drejtë, që të marrët të mos enden nëpër të. Do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit. Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi, do t’u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm, do t’i shoqërojë gëzimi e hareja, do të zhduket trishtimi e dënesja.
Fjala e Zotit
Psalmi 146 (145)
Ref:
Eja, o Zot, e na shpëto.
_______________
Zoti e mban besnikërinë për amshim,
u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqimin të uriturve.
Zoti i çliron robërit,
_______________
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët,
_______________
u ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
_______________

Leximi i dytë (Jak 5, 7-10)
Në dimër toka shfaqet jopjellore, por bora fsheh nën vete farën dhe e mbron.
Duhet durimi i fortë i bujkut që ka besim në tokën dhe pret me siguri prodhimin.
Edhe njerëzit ndonjëherë kanë një pamje të mjerë, por nuk duhet të ndalemi në pamjen e jashtme, meqë hiri i Hyjit vepron në brendësi dhe shndërron.
Ne presim ripërtëritjen e të gjitha gjërave. Në mes të dimrit ne mendojmë për pranverën.

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Vëllezër, jini të durueshëm deri në ditën e ardhjes së Zotit! Ja, edhe bujku e pret frytin e çmueshëm të tokës i durueshëm me të deri ta kapë shiu i lashtë dhe i voni. Jini të durueshëm edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit u afrua!
Mos u ankoni, vëllezër, njëri kundër tjetrit, që të mos dënoheni! Qe: Gjykatësi qëndron para derës! Merrni, o vëllezër, për shembull të vuajtjes edhe të dureses profetët që folën në emër të Zotit.

Fjala e Zotit
ALELUJA,
Aleluja.
Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi,
më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.
Aleluja.
Ungjilli (Mt 11, 2-11)

Gjon Pagëzuesi është i tronditur: Jezusi ndoshta nuk është Mesia që priste: nuk ndëshkon por shëron, nuk dënon madje dhuron jetën.
Ai gjendet në burg dhe dëshiron të njohë nëse Jezusi është me të vërtetë Mesia.
Përgjigja e Jezusit dhënë nxënësve të Gjonit pohon që Jezusi është me të vërtetë i dërguari i Hyjit për shpëtimin e njerëzve.
Në fakt me ardhjen e Jezusit të vërbërit shohin, të paralizuarit ecin dhe të varfërve u shpallet lajmi i mirë. Hyji vjen të na takojë në faktet konkrete të përditshme e në qetësi.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, kur Gjoni dëgjoi në burg për veprat e Krishtit, dërgoi nxënësit e vet për ta pyetur: “A je ti Ai që do të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”
Jezusi i përgjigji: “Shkoni e tregoni Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni: të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli. I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!”
Kur shkuan ata Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin: “Çka dolët të shihni në shkreti? Kallamin që luhat era? Apo çka dolët të shihni? Njeriun që veshet në petka të bukura? Qe, ata që veshen me petka të bukura, ata banojnë në pallate mbretërore! Po, pse atëherë dolët? Të shihni një profet? Po, po ju them: edhe më tepër se një profet, sepse Gjoni është ai, për të cilin Shkrimi shenjt thotë: ‘Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje që ta bëjë gati udhën tënde para teje!’
Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi; megjithatë më i vogli në Mbretërinë e qiellit ësht më i madh se ai.”

Fjala e Zotit
Më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.