2010-12-10 18:38:14

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: Psalmi i Kohës së Ardhjes, pj. II-III.


(10.12.2010 RV)Në meditimin e 11-të, folëm për pjesën I të Psalmit 84(85) të Kohës së Ardhjes. Por pjesët kryesore, që përmbajnë gjithë mistikën e profecinë, janë dy të fundit. Psalmisti, e me të, gjithë populli, dëgjojnë një zë, që u flet:
9. Do të dëgjoj ç’ thotë Zoti Perëndi;
paqën kumton për popullin e vet, për besnikët e vet
e për ata që me zemër kthehen nga ai...
Deri tani pati folur populli, duke i shprehur Zotit mirënjohjen, sepse e mori në duar fatin e tij e ia fali mëkatet e duke i kërkuar të rikthehet në gjirin e fisit të Jakobit, për ta shpëtuar, për ta mbushur me gëzimin e jetës.
Tani nis të flasë vetë Zoti, që i përgjigjet popullit të vet në lutje. Nuk i flet drejtpëdrejt. Zëri i Zotit nuk dëgjohet. Është Psalmisti ai që, duke folur në vetën e parë njëjës, bëhet zë i Zotit e i përgjigjet popullit të Besëlidhjes.
Përgjigje e pazakontë, që nis me pyetje, me ftesën për t’i hapur mirë veshët. E është pikërisht kjo grishje, që krijon atmosferën e heshtjes, të dëgjimit, të pritjes së paduruar të një lajmi të madh. Është atmosfera e Kohës kishtare që po jetojmë:
10. Është fare pranë shpëtimi, për ata që e druajnë,
e lumnia e tij do të shtrihet në tokën tonë.

 
11. Mëshira e e vërteta do të përqafohen;
drejtësia e paqja do të merren ngrykë,

 
12. e vërteta do të të mugullojë nga toka,
nga qielli do të nxjerrë kokën drejtësia.

 
13. Kur Zoti do të falë të mirat e veta,
toka jonë do të japë fryte të begata.

 
14. Përpara tij do të ecë drejtësia,
mbas gjurmave të tij, do të vijë shpëtimi”.
Kështu flet Zoti, Thotë: paqe! Kërkon drejtësi për popullin e vet. Dëshiron ta falë, ta dëgjojë, ta dojë, të bashkohet me të, që të mos e humbasë kurrë më rrugën e drejtë. E ia hap qiellin e vet pa anë e pa fund - njeriut që i fal zemrën. Prej këndej premtimi hyjnor arrin kulmin me kumtimin e ardhjes së Birit të Zotit, parafolur nga Izaia Profet: “Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngrihet porsi flamur për popujt; fiset do ta kërkojnë me etje; trolli i saj do të jetë i lavdishëm”. Atë ditë thuaj: “Të falënderoj, o Zot! Ti më ngushëllove!” (Is. 11,10; 12,1).







All the contents on this site are copyrighted ©.