2010-12-10 15:27:43

Me 10 dhjetor1979 në Oslo e Lumja Nënë Terezë mori Cmimit Nobel për Paqe


Më 10 dhjetor përkujtojmë 31 vjetorin e nderimit e të dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe së Lumes Nënë Terezë në Oslo. Sot pra përkujtojmë ditën e 10 dhjetori të vitit 1979 kur në Oslo nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e Lumja Nënë Terezë mori Çmimit Nobel për Paqe nga Presidenti i Komitetit Nobel për Paqe të asaj kohe.
Një kënaqësi plebishitare botërore, sepse ishte shpërblyer Nëna e botës së mjerimit, ajo e cila vërtet kishte merituar këtë titull të lartë me shërbimin e bamirësinë e pakursyer plot dashuri që bëri për më të varfrit ndër të varfër.
Lars Roar Langslet, Kryetari Komisionit Parlamentar për marrëdhënie me Kishën e për Arsim, mes tjerash dëshmoi: “Tërë bota e miratoi, kësaj here, vendimin e Institutit Nobel, qe Dhurata e madhe e Nobelit për Paqe t’i jepet bamirëses së njerëzimit...në shenjë mirënjohje për dashurinë e bamirësinë bërë njerëzimit mbarë pa dallim, sepse të gjithë njihemi në të. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, siç e thërrasin të gjithë; shi me këtë me të vërtetë është vlerësuar njeriu, të drejtat e nevojat e tij... Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë... Nënë Tereza është kulmi i punës vetëmohuese, i bamirësisë dhe dashurisë shërbyese...”.
Kryetari i Komitetit të atëhershëm Nobel për Paqe, dr. John Sannes-i, në aeroportin e Osllos, gjatë përcjelljes së Nënës Terezë për kthim në Kalkutë, ndër të tjera theksoi:“Këtu me të vërtetë nuk dimë se kush ka marrë dhuratë: ne apo Nënë Tereza? Ne e falënderojmë atë, që e ka pranuar këtë Cmim, kështu e ka ngritur edhe më vlerën e kësaj mirënjohjeje të lartë... Që tani duhet menduar për kandidatët e vitit të ardhshëm. Mbas Çmimit dhënë Nënë Terezës do të jetë mjaft vështirë të gjejmë një personalitet të përmasave të ngjashme si Nënë Tereza...Më mirë e më thjeshtë do t’ishte që ajo prapë ta fitonte këtë Çmim”.
Nëna Terezë e pranoi këtë Shpërblim vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar të varfrit ndër më të varfër, duke vërë në qendër të vëmendjes dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN dhe NJERIUN.
Kështu kishte dëshmuar para mbarë botës se “ Dashuria” do t’i shëronte të gjitha të ligat e botës, sepse do t’ia mundësonte njeriut tejkalimin e kufijve të kohës dhe të hapësirës, të kombit dhe religjionit, të kasteve dhe të ngjyrave...
Përjetim i rrallë e i paharrueshëm ishte edhe takimi i Nënë Terezës me Mbretin e atëhershëm të Norvegjisë, Ollavin e V, para se ta pranonte Cmimin Nobel për Paqe.
Pas përshëndetjeve e urimeve të rastit, Nëna Terezë e pyeti Mbretin se a do të merrte pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe.
Mbreti i tha:” Kisha për të ardhur me gëzim, por s’dëshiroj ta prishi këtë ditë të madhe për Ju. Nëse do të vijë, unë do të jam në qendër të vëmendjes. Prandaj më mirë mos të vijë, kështu që së paku një herë edhe Ju të jeni personaliteti kryesor”.
Nënë Tereza iu përgjigj Mbretit me një gatishmëri të pashoqe: “Jo, jo, o Mbret, gaboni. Nuk jam as unë as ju në qendër të vëmendjes, por Zoti dhe të varfrit, prandaj mund të vini lirisht!”.
Mbreti Ollavi V mbeti pa gojë dhe vërtet mori pjesë në dorëzimin e Çmimit Nobel për Paqe, si duket për të parën herë.
Në pyetjen bërë Nënë Terezës “Çka do të thotë për të, për motrat e saj dhe për të varfrit Çmimi Nobel për Paqe?”, ajo tha: “Për mua e motrat tona asgjë të posaçme, asgjë s’do të ndryshojë në Bashkësinë tonë e as shoqërinë tonë. Kjo dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë rregulltare, janë vetëm për të varfëritë tanë... Kjo është si një kontribut i madh i paqes, sepse tekembramja sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më të rëndësishmet për paqe...Pa dashuri nuk mund të kemi kurrë paqe.”
Ja, e tillë ishte Bija, Motra dhe Nëna e mbarë botës, Nobelistja Shqiptare e Paqes - Nëna jonë e Lumja Terezë Gonxhe Bojaxhiu!
Në Nënë Terezën populli shqiptar mund të gjejë vetveten e shpirtin e vërtetë, bashkimin shpirtëror e kulturor, arsyen themelore për bamirësi, për paqe e pajtim, për bashkëpunim e bashkëjetesë me të gjithë, pa dallim e pa përjashtim, duke mësuar e ushtruar artin e jetës, të dashurinë e të vëllazërimit.
E pershkojme kete ngjarje me don Lush Gjergjin nga Prishtina. Ja intervista...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.