2010-12-09 13:03:25

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: Psalmi i Kohës së Ardhjes.


Pas Engjëjve të Kohës së Ardhjes, sot do të meditojmë mbi Psalmin e 84 (85), kësaj kohe pritjeje e ardhjeje. Liturgjia e lashtë e pati zgjedhur si Psalmin, që e shpreh më mirë nga të gjithë atmosferën e pritjes së Zotit. Psalm lutjeje e psalm profetik, sepse kumton pikërisht misterin e Krishtlindjes. Shpjegimin e tij të thellë mund ta gjejmë duke shfletuar të gjithë Etërit e Kishës me radhë, nga Ireneu e deri tek Augustini.
Në Pjesën e parë të këtij Psalmi ndjehet fort atmosfera e mrekullueshme e pajtimit. Nuk është thjesht pajtim i njeriut me njeriun, edhe ky tejet i dëshiruar, i rëndësishëm dhe e i bukur! Është Zoti, që kthehet e prandaj Psalmisti i shpreh mirënjohjen me thellë me zemër:

1. O Zot, ti e deshe tokën tënde,
e ktheve për së mbari fatin e Jakobit.

3. Prapësinë popullit tënd ti ia fale,
e mëkatet të gjitha ia shleve.

4. Zemërimin tënd krejt e harrove,
i dhe fund inatit tënd të madh.

5. Ndihmona, o Hy, ti shpëtimi ynë,
ndaj nesh zemërimin tënd ti zbute.

6. Thua përgjithmonë zemërimin do ta mbash,
nga koha në kohë mërinë do ta ruash?

7. Thua s’do t’ kthehesh e prapë të na japësh jetë,
që në ty të gëzojë përsëri populli yt?

8. Na e trego, o Zot, mëshirën tënde;
e shpëtimin tënd na e fal!

Fjala e parë “e deshe” është çelësi i partiturës, që i jep tonin, me të cilin duhet lexuar e shpjeguar kjo këngë e mrekullueshme e pajtimit të madh, që thuret me fjalët plot shpresë: ti fale, harrove, zbute, ti vjen të na japësh jetë e sidomos “Ti e deshe”!
Mjafton kjo fjalë, për të kuptuar se Psalmi do të na njohë me një histori dashurie. Është dashuria ndërmjet Zotit e tokës së vet. Ndërmjet JHWH e ‘Jakobit, domethënë Izraelit, Popullit të tij.
Shumë nga Psalmet titullohen me fjalën e tyre fillestare. Kemi, prej këndej, Psalmet “Miserere”, “De Profundis” (Në Besëlidhjen e Vjetër); e këngët e kapitujve të parë të Ungjillit sipas Lukës: “Magnificat”, “Benedictus”, “Gloria” e “Nunc dimittis”. Psalmi i Kohës së Ardhjes, mund të quhet “E deshe”.
Aq më tepër, sepse krejt Pjesa e tij e parë përfundon me fjalët dashuri e shëlbim, në përkim të plotë me fjalën e fillimit. Zoti i kthen mëkatarët në rrugë të drejtë, sepse nuk është më i zemëruar me ta, prandaj e presim të vijë përsëri e të dhurojë jetë. E prandaj Psalmisti, duke folur në emër të të gjithëve, i lutet Zotit të kthehet dhe e siguron se populli do t’i përgjigjet, duke ulur të dy gjunjë mbi dhe!







All the contents on this site are copyrighted ©.