2010-12-09 15:05:23

Kremtohet Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit. Ban Ki Mun: “Korrupsioni është kërcënon demokracinë.


(09.12.2010 RV)“Korrupsioni është kërcënim për zhvillimin, demokracinë dhe stabilitetin.” Kështu u shpreh sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun në mesazhin e tij për Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit që kremtohet sot. Po sot organizata “Transparensi Internashonall”, prej kohësh e impenjuar në luftën kundër kësaj dukurie të shëmtuar, në kuadrin e shoqatës ndërkombëtare Flerë- Fridom Ligality end Rajts in Juropë, denoncon në një raport se pasojat e korrupsionit janë baraz me 10% të prodhimit të brendshëm bruto botëror. Në mikrofonin tonë flet kryetarja e kësaj organizate Maria Serena Brasiolo:

Përgjigje: Një pikë për të cilën nuk ka dyshim është kjo, se ku ka korrupsion ka varfëri sepse investimet drejtohen për vepra që nuk janë në interes të qytetarëve si bashkësi, por të individëve të veçantë që vazhdojnë të pasurohen atje ku të mirat materiale, frytet e punës dhe të taksave nuk përdoren për të mirën e përbashkët.

Pyetje: Cilët janë sektorët e goditur më rëndë nga kjo dukuri?

Përgjigje: Sektorët ndryshojnë shumë nga vendi në vend. Në Itali, fjala vjen, ushtria, policia konsiderohen si të virtytshme, ndërsa në disa vende të Afrikës, të Azisë juglindore, të Amerikës jugore, policia dhe ushtria, përkundrazi, konsiderohen nga më të korruptuarat. Në Italia ka pak korrupsion në sektorin e arsimit, ndërsa në disa vende korrupsioni në sektorin e arsimit është shumë i lartë sepse nuk ka shkolla të mjaftueshme, nuk ka mësues të mjaftueshëm, dhe si pasojë nuk është e lehtë të arsimohesh.

Pyetje: Korrupsioni ka të bëjë me sektorin privat dhe me atë publik, përfshi edhe partitë politike...

Përgjigje: Partitë politike, në të gjithë botën, mbahen nga sektorët civilë më të korruptuar. Jo deputetët e veçantë, jo qeveritë e veçanta, por pikërisht partitë.

Pyetje: Sipas të dhënave tuaja korrupsioni parlamentar bashkon edhe vende të ndryshme ndërmjet tyre si Panamaja, Indonezia, Rumania dhe Shtetet e Bashkuara. A nuk ju duket kjo një prirje tepër interesante?

Përgjigje: Po, sepse kështu është perceptimi i njerëzve. Në ato sektorë nuk ka transparencë dhe shumë lëvizje bëhen në prapaskenë. Në fakt është një problem i vërtetë për demokracinë.

Pyetje: Çfarë mund të bëjmë për ta izoluar këtë dukuri të mbrapshtë? Konfiskimi i pasurive të organizatave të jashtëligjëshme duket se është rruga më e mirë, më efikase...

Përgjigje: Konfiskimi i të mirave është një rrugë e mirë dhe ne e shohim, veçanërisht këto kohët e fundit, se kjo ka dhënë fryte. Rruga tjetër ka të bëjë me përgjegjësinë vetjake të secilit shtetas: në fakt të gjithë shtetasit do të duhej të denonconin rastet kur vërejnë diçka që nuk shkon si për shembull përdorimi i materialeve të skaduara për një tren apo makinë të cilat pastaj mund të shkaktojnë edhe aksident. Është pikërisht kjo ndjenjë përgjegjësie nga ana e qytetarëve e cila mund ta ndryshojë gjendjen. Dhe kjo është pika ku duhet të përqendrohen gazetarët në vend që të merren me kronikën e zezë. Ka shumë rëndësi të nxiten shtetasit të ndërgjegjësohen për vlerën e tyre si të tillë.







All the contents on this site are copyrighted ©.