2010-12-08 18:06:02

Solemniteti i Zojës së Papërlyer. Benedikti XVI, në Engjëllin e Tënzot, na siguron se mëshira e Hyjit është më e fuqishme se e keqja.


(08.12.2010 RV)Hiri është më i madh se mëkati e mëshira e Zotit, më e fuqishme se e keqja: këtë kujtoi Benedikti XVI në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në sa Kisha kremtonte solemnitetin e të Zënit pa mëkat të Zojës së Bekuar.
“Gëzoju, Hirplote, Zoti është me ty” i thotë Engjëlli Gabriel Virgjërës, duke na zbuluar kështu identitetin më thellë të Marisë, shpjegoi Benedikti XVI, në sa citonte liturgjinë e sotme. Shprehja “Hirplote”, që ka kuptimin ‘përplot me dashurinë e Zotit”, na shpjegon edhe misterin e Zënies pa mëkat të Marisë, shenjë – shtoi Papa - që tregon se Zoti, mbi të gjitha gratë, zgjodhi Marinë për të përmbushur planin e tij hyjnor. E zgjodhi për një mision të pashembullt: për të qenë Nënë e Birit të tij, të bërë njeri e, si pasojë, e ruajti nga çdo mëkat i rrjedhshëm. Burim drite shpirtërore, shprese e ngushëllimi, ky mister:
“Në mes të provave të jetës e sidomos, të kontradiktave, që provon njeriu në shpirtin e vet e rreth vetes, Maria, Nëna e Krishtit, na kujton se hiri është më i madh se mëkati; mëshira e Zotit, më e fuqishme se e keqja e se ajo di ta shndërrojë në të mirë. E keqja nuk është aspak e huaj për ne: dashur pa dashur, e takojmë çdo çast, na shfaqet me njëmijë mënyra e me njëmijë fytyra, në marrëdhëniet me të tjerët e në ngjarjet e përditshme, duke na kujtuar se rrënja e saj është në zemrën e njeriut, zemër e plagosur, e sëmurë, e paaftë për t’u shëruar vetë”.
Në se në zanafillë të çdo së keqeje, është rebelimi kundër vullnetit të Zotit e vdekja merr në dorë sundimin, sepse liria njerëzore dorëzohet përballë tundimeve të Djallit, kjo nuk do të thotë se Zoti e ka harruar planin e tij të dashurisë e të jetës. Përmes rrugës së pajtimit – siguroi Benedikti XVI – Ai lidh një besë të re e të amshuar, të cilën e vulos me gjakun e Birit të vet të vetëm, që për t’u flijuar në shpërblim të mëkateve tona, “lindi nga gruaja”:
“Kjo grua, Virgjëra Mari, përfitoi e para nga vdekja shëlbuese e të Birit e, që nga zënia, u ruajt nga çdo njollë mëkati. Prandaj, me zemrën e saj të papërlyer, Ajo na thotë: besojini Jezusit, Ai do të na shpëtojë”.
Më pas Papa u kujtoi besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, takimin e pasdites në Sheshin e Spanjës, për nderimin tradicional tek këmbët e monumentit kushtuar Zojës së Papërlyer. Takim shprehës, që mbart gjithë dashurinë e besimtarëve të qytetit të Romës e të mbarë botës për Nënën, të cilën Krishti na e dhuroi të gjithëve:
“Ndërmjetësisë së saj ia besoj nevojat më të ngutshme të Kishës e të botës. Ajo na ndihmoftë sidomos për të pasur besim në Zotin, për t’u mbështetur në Fjalën e tij, për ta flakur tutje të keqen e për të zgjedhur të mirën”.
Në përshëndetjet përfundimtare në gjuhë të ndryshme, një mendin i posaçëm për Akademinë Papnore të Zojës së Papërlyer, kushtuar thellimit të studimeve dhe nxitjes së nismave, frymëzuar nga dogma mariane, si dhe për Veprimin Katolik Italian, që sot sjell një frymë të re në shumë famulli, duke i shërbyer Kishës.
Së fundi, një urim për të gjithë:
Të gjithëve u uroj: gëzuar Festën e Zojës së Papërlyer”.
Ndërmjet shtegtarëve, ardhur nga të katër anët e botës, në Sheshin e Shën Pjetrit, ku dëgjohen gjuhë të ndryshme, na zu veshi disa fjalë shqipe. U afruam e takuam një grup shtegtarësh, ardhur nga Shqipëria, mbledhur rreth meshtarit, dom Arjan Dodës, të cilit ia drejtuam mikrofonin tonë.........:RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.