2010-12-08 12:53:08

Papa: e keqja avancon mirëpo përdëllimi i Zotit është më i fort


Në botën e sotme, “fatkeqësisht çdo ditë ne e përjetojmë të keqën, që shfaqet në shumë mënyra e forma në marrëdhënie e në ngjarje të ndryshme”. Për këtë, kurrë më shumë se sot, pohoi Papa Benedikti Xvi gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, “misteri i Zojës së Papërlyer, i të Zënit pa mëkat të Virgjërës Mari, është burim e dritës së brendshme, e shpresës dhe ngushëllimit”. “Në mesin e sprovave të jetës e posaçërisht të kundërshtimeve që njeriu përjeton brenda vetes e rreth vetes – vërtetë – Maria, Nëna e Krishtit, na thotë se Hiri i Zotit është më i fort e më i madh se mëkati, se Përdëllimi i Zotit është më i fuqishëm se e keqja dhe di ta shndërrojë në të mirë”. Me fjalë impenjuese e të forta Papa teolog e kujton edhe rolin e Shejtanit, për të përkujtuar se i keqi dhe e keqja “ e kanë rrënjën e vet në zemër të njeriut, në zemër të plagosur, të sëmurë, e cila është e paaftë të shërohet vetvetiu”. “Bibla – kujtoi Papa – na zbulon se zanafilla e çdo të keqe qëndron në mosdëgjimin e mosbindjen ndaj vullnetit të Zotit, e se vdekja ka mbizotëruar sepse liria njerëzore ka ra në tundime të të Keqit”.
Duke iu drejtuar mase 50 mijë besimtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Racinger shpjegoi se pikërisht me kundërmimin dhe opozitën ndërmjet së mirës e së keqes, qëndron domethënia e dogmës së Zënies së Papërlyer shpallur nga Papa Piu IX dhe më pas njoftoi se sot pas dite do të bëjë nderimet tradicionale Virgjërës së Papërlyer si çdo vit në sheshin Spanja në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.