2010-12-07 16:31:15

Çështja e procesit të 40 martirëve shqiptarë ‘Shërbëtorë të Hyjit’ do të kalon në Vatikan


Mbyllet në Shkodër procesi kanonik dioqezan për lumturimin e 40 martirëve shqiptarë “Shërbëtorëve të Hyjit” në nivelin e Kishës Shqiptare.
Data e 8 dhjetorit 2010, në festën e Zojës së Papërlyer, në Shkodër, do të shënohet në historinë e Kishës katolike shqiptare. Nesër, 8 vjet pas hapjes, mbyllet faza e parë e procesit kanonik Kishtar, për shpalljen të lumtur të 40 martirëve “Shërbëtorëve të Hyjit” në nivelin e Kishës Shqiptare, që kujtojmë se filloi më 10 nëntor 2002 në Katedralen e Shkodrës.
Kujtojmë se 40 martirët e Kishës shqiptare janë: 38 viktima të diktaturës komuniste në Shqipëri, 1 viktimë e kohës së Zogut dhe 1 tjetër viktimë e dhunës serbe në Kosovë.
Kujtimi i martirëve vë në dukje fenë e gjallë të shqiptarëve në Zotin, dëshminë guximtare, madje heroike që dhanë për Krishtin, si dhe traditën e bashkëpunimit vëllazëror e të harmonisë fetare ndër shqiptarë, shembull për të gjithë Ballkanin e botën, e sot shembulli i këtyre 40 martirëve është porosi për të gjithë për të vijuar ecjen në rrugën e respektit e të harmonisë ndërfetare.
Përfundimi i fazës së parë të procesit për kanonizimin e 40 martirëve shqiptarë ripohon e na kujton njëkohësisht vlerën e fesë në Jezusin, dhe flijimin e martirëve që derdhën gjakun për t'i qëndruar besnikë Ungjillit e vlerave të vërteta shpirtërore e kombëtare. E martirizimi i tyre e të sa e sa qytetarëve tjerë të pafajshëm, nuk është tragjedi e lashtë, madje besoj se shumë prej qytetarëve që ende janë gjallë, janë dëshmitarë pamorë të terrorit të kuq që shkaktoi vdekje e përhapi errësirë me vite të tëra në Shqipëri. Prandaj mund të themi me plot gojën se Kisha shqiptare shkruhet me shkronja të mëdha në librin e artë të Martiriologut të shekullit XX. Duke vështruar Krishtin e Kryqëzuar, nuk duhet t'i harrojmë kurrë fjalët e Tij: "Shërbëtori nuk është më i madh se zotëria. Në se më persekutuan mua, do t'ju persekutojnë edhe juve!".
Po tani nata e zezë e komunizmit u davarit e zbardhi agimi i fesë që na fton të ndërtojmë një bashkësi të fortë, ta predikojmë e dëshmojmë Ungjillin në drejtësi, dashuri e paqe.
E si shqiptarë e besimtarë bijë të tokës arbërore, kemi arsye të krenohemi me këta 40 martirë e shumë të tjerë, e jo më pak, të ecë në gjurmët e tyre të ndritura.
Mbi ecurinë e këtij procesi dhe vlerën shpirtërore që ka ky thesar shpirtëror i dëshmive heroike të martirëve që dhanë jetën dëshmimin e fesë në Krishtin e të dashurisë ndaj atdheut e ndaj popullit, për Radio Vatikanin, flet meshtari shqiptar don Gjovani Kokona që është marrë me çështjen e 40 martirëve. Ja një intervistë me të realizuar kohë më parë, ta dëgjojmë.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.