2010-12-07 15:53:25

Uikiliks, Asanzh dorëzohet në polici në Londër


(07.12.2010 RV)RealAudioMP3 Përfundoi pak para mesditës së sotme, në Londër, fshehja e themeluesit të faqes internet Uikiliks, Xhulian Asanzh. 39-vjeçari australian u dorëzua vetë në policinë britanike. Për të ishte lëshuar një mandat i Interpolit, i cili e detyron të përgjigjet para “akuzave për agresion seksual e përdhunim” në dëm të dy grave në Suedi, gushtin e kaluar. Sot, Asanzh u paraqit në Gjykatën e Uestminsterit, në Londër. Në sfondin e këtij dorëzimi, ekstradimi i mundshëm në SHBA-të, që themeluesi i Uikiliks e kundërshton kategorikisht. Publikimi i dokumentave të diplomacisë amerikane në faqet e internetit, po krijon probleme dhe tensione në rang ndërkombëtar. Ky botim, i menduar si shprehja më e lartë e demokracisë, a e ndihmon atë vërtet? Përgjigjet në mikrofonin tonë, drejtori i Institutit të Shkencave të komunikimit në Francë, Dominik Uolton:
Nëse informacioni vë në rrezik personat, mendoj se liria e shtypit duhet ta marrë parasysh këtë. E gazetarët duhet ta dinë fort mirë, sepse shpesh, ata vetë kërcënohen nga situata të ndryshme në botë. Nuk e kuptoj, në emër të cilës së drejte apo detyre informimi, duhen rrezikuar e dobësuar njerëzit, të cilët nuk janë kompiutera. E dimë mirë sa është e nevojshme ushtrimi i kritikës, themelore për gazetat e gazetarët, por me kusht, që ajo të bazohet në rezultatet e një pune hetimore. E ky nuk është rezultati i ndonjë pune hetimore, është vjedhje.
Pra, sipas jush, kjo lloj transparence nuk i shërben demokracisë?
Nuk mendoj se kjo mund ta rrisë besueshmërinë e shtypit dhe të demokracisë. Kur ka elemente, që hyjnë në shumë sekrete, jetohet sipas logjikës së dyshimit e të denoncimit, por kjo nuk është demokraci. Demokracia nuk qëndron në supozimin se krejt pushteti është “i kalbur”, përveç, pa dyshim(ironizo), pushtetit të katërt, informacionit. Demokraci do të thotë t’u tregosh qytetarëve se ç’është mirë e ç’është keq nga pikpamja shoqërore, përmes mediave dhe sektorëve të tjerë. Nuk mund të imagjinojmë se ka gjithnjë komplote apo strategji gënjeshtrash, kudo… Duke bërë kështu, qytetarët nuk do të kenë më besim në pushtetin politik, ushtarak e diplomatik, e as në mjetet e informacionit.
Pyesim atëherë: përse mediat bëhen, ato vetë, megafonat e Uikiliks?
Mungesa e reflektimit në media nuk është e vetme, edhe bota akademike nuk është më e mirë. Mungesa e reflektimit në media mbi kufijtë e internetit kalon në marrëzi. Ka një sasi të jashtëzakonshme informacioni e mendohet se sa më shumë të ketë, aq më demokratë jemi. Në këtë rast, thuhet se informacioni nuk mund të verifikohej, sepse ka qenë konfidencial, sekret. Gazetari atëherë referon lajme, që ai vetë nuk i ka verifikuar. Ky është turp, pasi deontologjia e gazetarëve nuk e lejon publikimin e këtij lloj materiali. Jemi pra, në krahun e kundërt me vlerën e lirisë së shtypit. Mjetet e informacionit nuk arrijnë të mbajnë një distancë kritike nga materiali, që u propozohet. Zemra, thelbi i informacionit në botë përfaqësohet nga lajme të verifikuara e të referuara nga gazetarët. Ka informacione të paverifikuara, por në atë rast, detyra jonë, vetë madhështia e punës sonë qëndron në marrjen e këtij vendimi të ndërgjegjshëm: të mos përhapet e të mos botohet lajmi. Shpesh justifikohemi duke thënë se e kemi për detyrë të informojmë, ose vemë një maskë, duke thënë se nëse nuk e botojmë ne, do ta bëjë një gazetë tjetër. Por pasojat e konkurrencës së brendshme ndërmjet mediave nuk mund të justifikojnë heshtimin e ndërgjegjes, për të botuar sa më shpejt të jetë e mundur lajmin, pavarësisht si është ai.
Cili është rreziku në kontekstin e globalizimit?
Globalizimi i informacionit është si pallat, që mund t’i ketë themelet në zëra, pëshpëritje, skandale… Duke bërë kështu arrijmë pikërisht tek rezultati i kundërt: vetëdija demokratike nuk rritet, por ama rritet refuzimi i demokracisë. Ja pra, si po e ndërtojmë pallatin e zërave dhe të gjithë atyre vullneteve, që kanë për qëllim reduktimin e lirisë së informacionit.
Sipas jush, nuk e kemi të qartë plotësisht se ç’është vërtet liria e informacionit?
Liria e informacionit nuk është krijimi i një lloj kanali ndërmjet aktorëve politikë, ushtarakë apo diplomatikë dhe shtypit: përndryshe gazetarët nuk do të shërbenin për asgjë. Puna e një gazetari është zgjedhja ndërmjet lajmeve, që i mban për vete, për t’i ditur ai vetë, si kulturë personale dhe, atyre, që boton e për të cilat merr përgjegjësi para opinionit publik. Autoçensura është pjesë e jetës politike e nuk duhet parë si hipokrizi. Thjesht për të pasur sa më shumë informacion, gazetarët harrojnë se madhështia e punës së tyre qëndron në mosnënshtrimin, në distancimin nga burimet e informacionit. Nëse e bëjnë këtë, besueshmëria e tyre në botë rritet. Por, siç mund ta shohim edhe vetë, gjatë 20 vjetëve të fundit, kjo besueshmëri ka rënë shumë, shenjë e qartë se duke botuar çdo lloj informacioni i largojmë njerëzit nga shtypi.







All the contents on this site are copyrighted ©.