2010-12-07 15:50:41

Në Kinë zhvillohet Asambleja “Patriotike” e Kishës


(07.12.2010 RV)Kisha zyrtare katolike në Kinë filloi sot Asamblenë e saj kombëtare për të zgjedhur drejtuesit e Shoqatës së Katolikëve Patriotë dhe Këshillin e Ipeshkvijve, organizma, që njohin autoritetin e qeverisë së Pekinit dhe jo të Selisë së Shenjtë. Sipas agjensisë katolike Asianjuz, autoritetet komuniste kanë ushtruar shumë presion mbi ipeshkvijtë, për t’i detyruar të marrin pjesë në mbledhjen, për të cilën Vatikani ka kërkuar bojkotimin.
Kjo Asamble mblidhet menjëherë pas “shugurimit” të njëanshëm të ipeshkvit të qytetit të Çengde-së, të cilën Vatikani e kritikoi ashpër, pa e njohur si shugurim të vërtetë. Ishte hera e parë, pas katër vjetësh bashkëpunimi, që Pekini veproi pa pëlqimin e Selisë së Shenjtë.
Azianjuz shkruan se ipeshkvijtë e njohur nga Vatikani nuk kanë pranuar të marrin pjesë në mbledhje, por u duhet të durojnë presionin e autoriteteve. Ipeshkvi i Hengshuit është çuar me forcë në Pekin, ndërsa ai i Kanzhout është fshehur, por kërkohet aktivisht nga policia. Kujtojmë se Kina dhe Selia e Shenjtë nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike, që nga viti 1951, kur nunci apostolik u detyrua nga komunistët të largohej nga Pekini për t’u transferuar në Tajvan.







All the contents on this site are copyrighted ©.