2010-12-07 13:29:08

Koha e Ardhjes. Papa: të ndërtojmë një botë më të mirë, në pritje të botës vërtet të mirë


Në Kohën e Ardhjes, që ka hyrë tashmë në javën e saj të dytë, Papa i fton besimtarët t’i jetojnë gjërat e përditshme me frymë të re, me ndjenja të thella e me aspirata, që mund t’i përmbushë vetëm Zoti. Hyji që vjen është shumë i pranishëm edhe në përgjigjet, që jep Benedikti XVI në librin-intervistë të gazetarit gjerman Peter Sevald, “Drita e botës – Papa, Kisha dhe shenjat e kohëve”.
Ati i Shenjtë kërkon që të gjithë të punojnë për një botë më të mirë, në pritje të botës vërtet më të mirë, siç e quan Papa. Por, vëren Jozef Racinger, problemi ynë është se për shkak të shumë drurëve, nuk mbërrijmë të shohim pyllin, metaforë kjo për të vënë në dukje se për shkak të njohjes së thellë të botës, e cila nuk është një e keqe në vetvete, njerëzimi nuk arrin të gjejë më dijen, në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk arrin të gjejë më thelbin e gjërave, atë që mbetet. Ati i Shenjtë vëren se predikimi i sotëm mbi jetën e amshuar errësohet nga kujdesi i njëanshëm për ngjarjet e përditshme. Duhet, nënvizon Papa, ta kapërcejmë këtë horizont, ta zgjerojmë për të parë gjërat e fundme, të cilat janë “si buka e fortë për njeriun e sotëm. I duken jo të vërteta”. Ky njeri kërkon përgjigje konkrete për sot, por nuk sheh përtej jetës materiale, aty ku ekziston gjykimi hyjnor dhe amshimi.
Në fakt, Jezusi thotë me siguri: “unë do të kthehem” e atëherë secili do të dalë para Gjyqit të Mbramë. Kjo duhet marrë seriozisht e ka nevojë për përgatitje. Rruga, thotë Papa, është ta modelojmë vetveten, mendjen tonë sipas mëshirës e dashurisë së Zotit. Ky është ilaçi kundër mizorisë së botës e, kjo është mënyra për t’u përgatitur, që vetë Hyji të vijë me mëshirën e vet.
Në këtë situatë, misioni i Kishës është ta shpëtojë njeriun nga kjo dashuri e sëmurë për vetveten, e cila po e çon botën drejt shkatërrimit. Benedikti XVI shpjegon se Kisha nuk u propozon njerëzve ndonjë sistem moral. “Nuk jemi moralistë – thekson me forcë – por duke u nisur nga bazat e fesë, jemi bartës të një mesazhi etik, që u jep njerëzve orientimin”. E rëndësishme është që Kisha t’u dhurojë njerëzve Krishtin, sidomos përmes mrekullisë së dashurisë së sa e sa njerëzve të Zotit, që pa asnjë përfitim, të shtyrë vetëm nga Krishti, ndihmojnë të tjerët. Ky karakter terapeutik i krishterimit, që shëron e jep falas, pohon Papa, duhet të dalë në pah më qartë në jetën e të krishterëve.
Duke e hedhur vështrimin mbi përparimin e sotëm njerëzor, Ati i Shenjtë bën pyetjen: “ç’është e mira?”. Vërtet, “e mira vjen para pasurisë”. Në shoqërinë aktuale të konsumizmit ka një uri për amshimin, që, duke gënjyer veten, mendojmë se mund të shuhet me gjëra materiale. Shpesh jetohet vetëm për t’u dukur, nënvizon Benedikti XVI, e i trajtojmë mëkatet, edhe ato të mëdhatë, sikur janë pjesë përbërëse e shpirtit tonë. Në të vërtetë, është e nevojshme një ndërgjegje morale më e thellë, gatishmëri konkrete për të hequr dorë nga gjërat materiale, për të qenë më të disiplinuar, për të jetuar mbi bazën e dashurisë për të afërmin, deri në mohimin e vetvetes. Perspektiva e krishterë e kapërcen kënaqësinë e momentit, për të shkuar më tej: “të bëhesh njeri – vëren Papa – është si të ngjitësh një mal të thepisur; por pikërisht përmes këtij mundimi arrijmë majën e mund të provojmë sa e bukur është jeta”.
Si mund ta ndryshojmë jetën, që ajo të ketë më tepër parasysh se ekzistojnë edhe të tjerë në këtë botë? Benedikti XVI citon shën Bernardin: “Mos e humb veten në aktivizmin e tepruar”. “Dija e skribit – thotë Libri i Siracidit – vjen nga orët e paqes: duhet të kemi guxim të heshtim për ta dëgjuar Zotin”. E para asaj, që Papa e quan “arroganca e intelektit”, e cila nuk e kupton se si Zoti mund të jetë bërë njeri në kraharorin e një Virgjëre, i Gjithpushtetshmi nuk imponohet, e le njeriun të lirë të thotë “po”, sepse feja është diçka, që realizohet në liri. Kisha, përfundon Ati i Shenjtë, dëshiron të shpallë këtë gjë: takimi me Krishtin krijon vërtet para nesh mundësi të reja, duke na e zgjeruar zemrën dhe shpirtin: feja i jep vërtet jetës sonë një përmasë të re, i jep gëzim, hap horizontet, duke na bërë të hyjmë në një realitet më të madh, përtej jetës së përditshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.