2010-12-06 17:25:20

Papa takohet me luteranin Tveit të Këshillit Ekumenik të Kishave


(06.12.2010 RV)Të shtunën e kaluar, Benedikti XVI u takua me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit Ekumenik të Kishave, dr. Olav Fykse Tveit. Pastor luteran i Kishës së Norvegjisë, dr. Tveit e ka filluar këtë detyrë më 1 janar 2010. I kërkuam të na flasë për këtë takim me Papën:
Patëm një bisedë të hapur e miqësore. Papa nënvizoi rëndësinë e punës së Këshillit Ekumenik të Kishave. U interesua për zhvillimet e planet e ardhshme. Ai vetë ka qenë i impenjuar në Komisionin “Feja dhe Kushtetuta”, prandaj e njeh mirë këtë përmasë të punës sonë. Interesohet sigurisht, për mënyrën si i trajtojmë çështjet teologjike dhe për forcimin e bashkëpunimit, që të arrihet uniteti i dukshëm ndërmjet Kishave.
Cilat janë shpresat tuaja për dialogun me Kishën Katolike?
Shpresoj që Kisha Katolike të përfshihet më shumë në punën që bëjmë, duke e forcuar bashkëpunimin, i cili është i madh edhe tani. Është bashkëpunim, që rritet çdo ditë. Këshilli Ekumenik i Kishave është një bashkësi vëllazërore, që përmbledh Kishat e të gjithë botës. Kur udhëtoj e takohem me përfaqësues të këtyre Kishave, shpesh më tregojnë sa intensiv është bashkëpunimi i tyre me Kishën Katolike, në nivelin lokal e kombëtar. Për mua, kjo është prova që Kishat e krishtera bashkëpunojnë në shumë kontekste e në nivele të ndryshme në të gjithë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.