Me 6 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Nikollën, ipeshkëv
(06.12.2010 RV)Fama e Shën Nikollës ipeshkëv është universale: dokumentohet nga Kishat
dhe veprat e artit, institucionet e traditat e lidhura me emrin e tij. E, megjithatë,
të dhënat për jetën e Shën Kollit janë të pakta. Ka mundësi të ketë lindur në Pŕtara
të Liçies, në Azinë e Vogël (Turqia e sotme), e pastaj të jetë zgjedhur ipeshkëv i
Mirës, po në Liçie. Nikolla vdiq më 6 dhjetor të një viti të panjohur. Kulti i
tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm
në shekullin VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha. Tek varri i tij nisën të
organizohen shtegtime. Shumë shkrime në greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën
e tij në mbarë botën bizantino-sllave e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri
në Jug të Italisë. Por më se shtatë shekuj pas vdekjes së tij, kur Pulia e Italisë
u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit. Shtatëdhjetë e dy
marinarë barezë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga turqit, arritën tek
varri i Shën Kollit, ia morën me nderim të thellë eshtrat dhe, më 9 maj 1087, u kthyen
në Bari, të pritur me triumf: Shenjti u shpall menjëherë Pajtor i qytetit. Më 29 shtator
të vitit 1089, pas një qëndrimi të shkurtër në një kishë të qytetit, reliket e Shenjtit
u vendosën përfundimisht në kripten e përgatitur pranë bazilikës që u ngrit mbi to.
Do të ishte vetë papa Urbani II që do t’i vendoste reliket në elter. Në fund të shekullit
XX bazilika, që Papa Piu XII ia besoi dominikanëve, u kthye në vend takimi ndërmjet
Kishave të Lindjes e të Perëndimit dhe në seli të Institutit të teologjisë ekumenike
“Shën Nikolla”. Sipas gojëdhënave, Shenjti kreu mrekulli pas mrekullie. Pothuajse
çdo gjest të tij gojëdhëna e kthen në mrekulli: shpëton mrekullisht tre zyrtarë nga
vdekja, e mbron Mirën nga thatësira, qetëson një stuhi të tmerrshme në det, ngjall
së vdekuri tre fëmijë të mbytur, e mrekulli të tjera, të cilat kujtohen edhe në këngën
tradicionale që shqiptarët e këndojnë sërish natën e festës së Shenjtit, me devocion
të jashtëzakonshëm, nën dritën e qiriut të trashë, ndezur për nder të tij. E,
gjithnjë sipas traditës, natën e festës, piqet edhe “fërliku i Shën Kollit”, ose flijohet
një gjel. Shumë ndër shqiptarët katolikë e ortodoksë mbajnë emrin Nikollë emër që
ka marrë një mori trajtash si: Lec, Kolec, Kolë, Nikolin, Koli, Kolin e Lin. Edhe
ndër trojet shqiptare Shenjtit të mrekullive i janë kushtuar disa Kisha. Po kujtojmë
vetëm Kishën e Shën Nëkollit në lagjen Rus të Shkodrës, shkatërruar nga komunistët
e rindërtuar përsëri – një mrekulli e re kjo e Shenjtit; një Kishë tjetër e njohur
kushtuar Shenjtit ngrihet në Velezhë të Prizrenit në Kosovë, që e ka edhe pajtor qiellor.
Shën Kolli njihet menjëherë në ikonografi, sepse mban në dorë shkopin baritor
dhe tri kuleta – siç quhen në këngën shqiptare kushtuar Shenjtit, të tria plot me
monedha ari, që do të shërbenin për pajën e tri vajzave të varfra. Shenjti është
pajtor i fëmijëve, i djemve e vajzave të reja, i nxënësve, i farmacistëve, i detarëve,
i peshkatarëve. Emri Nikolla vjen nga greqishtja e do të thotë fitimtar i popullit.
Kanga
e Shën Nëkollit. Sa punë të mëdhaja e mrekulli Qi ka bâ Shejti Shën Nkollë, Difton
qiella me lumni E gjithë bota s’pranë tue folë. Lundërtari tue vozitë e skamnori
që lypë bukë, kangë e lavde s’rrinë pa qitë; Si shtegtari që ban rrugë. Si
i pasë, si ai që s’ka, N’pasët ndoj smundje a çdo idhnim, Fill te i lumi pa
ia dá N’ ujë t’ Shën Nëkollit gjenë shërim. Qysh se leu n’ kët botë ky fmí, Kje
si hylli që shkelxen, Kje si drita tanë mirsí Gjindja u mbushen me gazmend. Ai
kje i pastër si bilur, I dha trupit të madh shtërngim E n’e prende e n’e merkurr gji
nuk merr, ban agjinim. Tue u rritë me shumë urtí, Shpejt e ngjiten prindja në
shkollë; E nji të madhe mrekullí Hin e ban Shejti Shën Nëkollë. Kur prej
shkollës po kthente n’ shpí Hasë nji grue që ish’ tue dekë E ky djalë plot me
dashtëní tue i bâ kryq prej dekës e hjekë. Adeodati, djalë dishiri, Kje grabitë
e çue në mergim E i Shën Nëkolli prej Misiri Për ajrí e çon në lirim. Tri
kuleta janë dërgue Ndër tri vajza mbetun shkret, Prej dritorjet shkon me i çue, E
ato me nderë i qet. Tre fmí të mbytun prej mizorit, Shtî n’ nji sheke copë e
grimë, I ktheu në jetë pa kurrfarë zorit I Shën Nëkolli me ‘i bekim. Fushë
e male, tokë e dét, Uj e zjarm e diell e hanë, Sa fuqí mbi dekë e jetë Ka
Shën Nëkolli, diftue e kanë. Dridhet ferri prej idhnimit, Kur Shën Nëkolli n’
ball flakron, Hikë shejtani pre tmerimit Kur i k’shteni ndihmë kërkon. Por
nji të madhe porosí O i Shën Nëkollë, nji të madhe nderë Na fal t’ gjithve si
dhantí Ndore tande t’ jemë përherë. E n’at ditë që të jetë shenjue Prej kso
jete na me u hjekë, Ndore tande kjoshim lshue Ku gjithmonë na kjeme pshtetë. O
i Shën Nëkollë plot me dashtní, Shpirtënt tonë ti na i kujtň, Prap po të bâjmë
ket porosi: ti n’at’ jetë të gjith na pshtň! Marrë nga ‘Katekizmi i Kishës katolike’ (Botue
nën kujdesin e Ipeshkvisë së Pultit, Pult 1995)
Aventura e pabesueshme për
rrëmbimin e relikeve të Shën Nikollës “Ahahaha, ia dolëm mbanesh edhe këtë
herë!”. Pali e Mario janë tepër krenarë për marifetin, që po i shpëton nga kontrollet.
Sa herë që myslimanët e ndalojnë anijen e tyre, ata u tregojnë thasët e grurit, stivuar
një mbi një në hambar, e u thonë: “Jemi tregtarë nga Bari e po shkojmë ta shesim grurin
në Antioki”. Myslimanët i lejojnë menjëherë të kalojnë e kështu anija riniset në drejtin
të…. Mirës. Në të vërtetë Pali e Mario nuk janë tregtarë. Vijnë nga Bari, por nuk
shkojnë në Antioki. E kapërcejnë detin për të marrë trupin e Shën Nikollit, vdekur
gjashtëqind vjet më parë në Mirë, qytet i Turqisë, që ka rënë në duart e myslimanëve.
Shën Nikolli i madh është ipeshkvi më popullor i krishterimit perëndimor. Me një histori
jete plot aventura, Shenjti mban rekordin për mrekulli. Pali, Mario dhe një grup detarësh
barezë e kanë nisur këtë ekspeditë pikërisht për të rrëmbyer trupin e Shën Nikollit.
“Sigurisht që varri i Shën Nikollit është më mirë të jetë në Bari, sesa në Mirë”
– I thonë njëri-tjetrit. Në fund të fundit nuk duhet harruar se, sipas traditës, Ipeshkvi
i madh, duke kaluar nëpër Bari, pati parafolur se një ditë trupi i tij do të pushonte
pikërisht në këtë qytet. Një arsye më tepër për ta marrë e për ta varrosur atje ku
parafoli ai vetë. Palin e Marion i tremb vetëm një gjë: kanë frikë nga venecianët,
që mund të arrijnë të parët në Mirë e ta marrin trupin e Shenjtit, për ta varrosur
në qytetin e tyre. E s’është frikë e kotë. E dinë se edhe një grup venecianësh ka
të njëjtin qëllim. Kush do të arrijë i pari? Anija e detarëve të Barit çan ujërat
me të gjitha velat e shpalosura. Sapo zbarkojnë në Mirë, ‘rrëmbyesit’ e kryejnë shpejt
e shpejt punën, për të cilën janë nisur. Rojtarët e varrit nuk kanë kohë të bëjnë
as ‘ah’, as ‘uh’. Ndonëse nxitojnë sa më s’ka, detarët kujdesen tepër të mos e cenojnë
trupin e Shenjtit, nga i cili del një vaj erëmirë, që shëron shumë sëmundje. Duhet
prandaj, të jenë tepër të vëmendshëm. Ditën kur rikthehen në Bari, në maj të vitit
1087, pak javë pas nisjes, Pali e Mario priten si ngadhënjimtarë nga popullata bareze.
Trupi i Shenjtit vendoset menjëherë në një nga kishat më të bukura të qytetit. E pak
ditë më pas, vetë Papa vjen për ta bekuar varrin. Që nga ky çast, Bari bëhet cak shtegtimesh
me rëndësi të dorës së parë për mbarë Evropën. Kështu pra, falë guximit të detarëve
të tij, qyteti i vogël italian fiton famë ndërkombëtare.