2010-12-06 15:46:39

Historia e përmbytjeve që janë regjistruar në Shqipëri


Përmbytjet e mëdha në Shqipëri kanë edhe historikun e tyre:
Në vitet 1907, 1928, 1937 - Përroi i Zaranikës dhe i Manazderies përmbyti tokat dhe qytetin e Elbasanit.
Në vitet 1933, 1935, 1938 - Përroi i Bardhë në Përmet, përveç dëmeve materiale shkaktoi dhe 28 viktima.
Në vitet 1962-1963 gjatë dimrit u përmbyt disa herë gati e gjithë Myzeqeja, fusha e bregut te Matit, e Zadrimës, Velipojës dhe shumë fshatra dhe qytetet Berat, Shkodër, Lezhë etj.
Në Dhjetor 1970 u përmbyten fushat më të ultëa dhe me të sheshta të Ultësirës Perëndimore.
Në maj të vitit 1991, Përroi i Uznovës në Berat dëmtoi tokat dhe qytetin.
Në gusht 1995 - Përmbyten toka dhe qendra të banuara në rrethet Lezhë, Kurbin, Mirditë dhe Shkodër. Shkaktohen 5 viktima.
Në Dhjetor 1995 - Në rrethet Shkodër, Lezhë Kurbin dhe Krujë përmbyten 5 mijë hektarë tokë, bllokohen 2 000 familja dhe dëmtohen 400 shtëpi.
Në Nëntor 1996 - Lumi Osum në Berat del nga shtrati dhe përmbyt dhjetëra hektarë tokë bujqësore si dhe mjaft objekte.
Në 20 Dhjetor 1997- Shirat e rrëmbyeshëm përmbytën 8.000 ha tokë të mbjella, duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme për të gjithë zonën e Zadrimës në rrethin e Lezhës, sidomos në fshatrat Kakarriq, Gocaj, Ishull Lezhë, Ishull Shëngjin, Grykë-Zezë, etj. Në rreth 180 shtëpi uji hyri brenda duke dëmtuar orendi shtëpiake dhe bazën ushqimore të bagëtive. Përveç reshjeve të shumta, që sipas burimeve arritën mbi 200 mm brenda nje intervali ore prej 5 orësh, shpërtheu në tre vende në gjatësi lineare 115 metra kanali i ujërave të larta të Zadrimës, duke dëmtuar rreth 2 km linjë hekurudhore të aksit Lezhë-Shkodër. Ngritja e nivelit të ujit të Drinit mbi kuotën kritike 5,6 metra, i paparë nga viti 1985, nxorri jashtë pune tre hidrovore në Balldre, Gocaj e Grykë-Zezë të zones së Zadrimës
Në 1 mars 2001-Reshjet e dendura te shiut përmbytën rreth 2200 ha tokë në komunat Balldren, Kakarriq, Ishull Shëngjin, Tresh, etj të rrethit të Lezhës. 22 Shtator 2002: Qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore në qarqet Shkodër Lezhë, Dibër dhe Kukës për shkak të përmbytjeve të shkaktuara në këto qarqe.
Në tetor të vitit 2003, shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje në disa zona të qarkut të Shkodrës, Lezhës, Vlorës dhe Gjirokastrës.
Në nëntor të vitit 2004- Shirat e rrëmbyeshëm përmbytën toka bujqësore në Lezhë dhe Shkodër.
Janar 2010- Nga përllogaritjet e deritanishme rezulton të jenë përmbytur të paktën 10 mijë ha tokë dhe 2405 shtëpi në qarkun e Shkodrës.

4 Dhjetor 2010 Për shkak të shirave të rrëmbyeshëm që vazhdojnë prej disa javësh dhe në këto çaste, sipas të dhënave nga Shtabit i Emergjencave Civile, Shkodër, ka një rritje të tokave dhe banesave të përmbytura, banesave të qarkuara nga uji dhe familjeve të evakuuar, shifrat e të cilave vijojnë më poshtë.
- Rreth 4000 familje të evakuuara
- Rreth 2300 shtëpi të përmbytura dhe rreth 2600 të qarkuara nga uji
- Rreth 14000 hektarë tokë e përmbytur
Shirat kanë përmbytur edhe disa zona të tjera në Lezhë, Fushë-Krujë Durrës si dhe ka rrëshqitje të dherave në qarqe të tjera të vendit si në Burel, Berat, etj. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.