2010-12-06 18:53:27

Feith: vëzhgim diplomatik zgjedhjeve në Kosovë


Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (EUSR), Pieter Feith, paralajmëron "vëzhgimin Diplomatik të Zgjedhjeve në Kosovë, 2010" në mbështetje të Zgjedhjeve Parlamentare të 12 dhjetorit.
Nga zyra e Feith sapo është njoftuar se Bashkimi Evropian, si partner kryesor i Kosovës, ka bërë përpjekje të rëndësishme që t'i mbledhë së bashku vëzhguesit diplomatikë nga shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e tjera për të inkurajuar që zgjedhjet e ardhshme në Kosovë të jenë në nivel me standardet ndërkombëtare.
Bëhet e ditur se e koordinuar nga EUSR, në Kosovë do të shihet vendosja e një numri të konsiderueshëm të vëzhguesve ndërkombëtarë në Ditën e Zgjedhjeve që do të punojnë bashkërisht për "Vëzhgimin Diplomatik të Zgjedhjeve në Kosovë 2010".
Nën ombrellën e 'Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë 2010', më shumë se 120 ekipe për Vëzhgim të Zgjedhjeve do te ndjekin çdo fazë të procesit të zgjedhjeve në vendvotime në gjithë Kosovën.
Ekipet për Vëzhgim të Zgjedhjeve do të përbëhen nga pjesëtarë të ICO-së dhe EUSR-së, pjesëtarë të misioneve diplomatike në Kosovë, diplomatë nga shtetet e tjera të BE-së dhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Plani i dislokimit do të sigurojë mbulimin e tërë Kosovës dhe do t'i raportohet shtabit qendror operativ gjatë gjithë ditës.
Pieter Feith, tha se "si BE, ne dëshirojmë që këto zgjedhje t'i përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare. Të jenë të lira, të ndershme dhe të rregullta".
"Çdokush duhet ta luajë rolin vet në këtë proces: partitë politike përmes sjelljes së tyre, duke e respektuar Kodin e Mirësjelljes, të cilin ato e kanë nënshkruar dhe qytetarët përmes pjesëmarrjes së tyre", shtoi ai.







All the contents on this site are copyrighted ©.