2010-12-06 17:25:57

Bregu i Fildishtë në prag të luftës civile


(06.12.2010 RV)Bregu i Fildishtë është një vend në prag të luftës civile, pasi dje si presidenti aktual Gbagbo, ashtu edhe kandidati i opozitës Ouatarà e deklaruan veten fitimtarë të zgjedhjeve presidenciale e secili emëroi kryeministrin e vet. Sot paradite u rihapën kufijtë, të cilat ishin mbyllur që prej një jave, për shkak të dhunës gjatë zgjedhjeve. Për një dëshmi mbi situatën në vend të dëgjojmë një misionar italian me telefon nga Bouakè, i cili për arsye sigurie, preferon të mbetet anonim:
Këtu gjendja është e qetë, në kuptimin që njerëzit kanë qëndruar në shtëpi gjatë fundjavës. Qyteti është gati i shkretë. Ka pasur manifestime, por pa dhunë. Mbretëron atmosfera e pritjes, ka tension: duam të dimë si do të përfundojnë gjërat.
Është një moment konfuzioni i madh politik? Si e përjetojnë njerëzit? A kanë frikë?
Ka frikë, pasiguri e nuk e dimë si do shkojë puna. Gjithsesi, përsa u përket të krishterëve, dje, ipeshkvi i Bouakèsë na mblodhi në katedralen e mbushur plot dhe na bëri thirrje për bashkim, u bëri thirrje gjithë të krishterëve të luten, që në Kishë të mos kemi ndarje për shkak të etnisë, të kombësisë, apo të përkatësisë politike. Na tha të mos përzihemi me këto probleme. Duhet të lutemi – shtoi ipeshkvi – që Trupi diplomatik dhe bashkësia ndërkombëtare të takohen me palët, t’i pajtojnë e të arrijmë më në fund në një president të vetëm.
Mendimi juaj personal mbi të ardhmen e Bregut të Fildishtë?
Kam besim. Bëj thirrje që të mos ndahemi sipas etnisë, apo përkatësisë politike, por të lutemi që të mos ketë manifestime të dhunshme e derdhje gjaku. Bëj thirrje që të huajt të priten, siç priteshin më parë. Afrika është një familje e madhe: jemi të gjithë vëllezër e motra. Duhet të kthehemi tek këto parime, të gjejmë një zgjidhje pa gjak.







All the contents on this site are copyrighted ©.