2010-12-05 19:16:16

Vendet e NATO-s e BE-së ndihmojnë Shqipërinë në kapërcimin e krizës në veri shkaktuar nga përmbytjet


Duke iu përgjigjur thirrjes së Qeverisë së Shqipërisë, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, kanë filluar operacionet e shpërndarjes së ndihmave ushqimore dhe të emergjencës për banorët në zonat e përmbytura në Qarkun e Shkodrës.
Sot ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s në Shqipëri kanë shprehur gatishmërinë e tyre për te ndihmuar ne përballimin e situatës së emergjencës në veri të vendit, duke kontribuar në nivel bilateral me ndihma reale.
Ndërkohë, Departamenti i Mbrojtjes Civile, në bashkërendim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me Kryqin e Kuq Italian, ka urdhëruar dërgimin e menjëhershëm të ndihmave të emergjencës. Në Portin e Durrësit do të mbërrijë një karvan me 5 maune, të cilat përmbajnë 25 ton mallra ushqimorë, 5 ton veshje dhe pajisje kundër shiut, 4 ton produkte për higjienën vetjake etj.
Në bashkëpunim me autoritetet kompetente shqiptare, ndihmat do të transportohen menjëherë në Qarkun e Shkodrës për shpërndarjen e tyre. Bëhet fjalë vetëm për karvanin e parë me ndihma, pasi në ditët e ardhshme do të vijojnë ngarkesa të tjera me ndihma, njofton Ambasada Italiane në Tiranë.
Një ditë më parë, Austria, Italia, Greqia dhe Turqia kanë ofruar mbështetjen dhe ndihmën e tyre veçanërisht me mjete logjistike, duke dërguar helikopterë për shpërndarjen e ushqimeve në zona e përmbytura. Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë njoftoi sot se me kërkesë të autoriteteve shqiptare, sot rreth orës 02.00, në aeroportin e Rinasit është ulur një helikopter kërkim-shpëtimi dhe dy helikopterë të tipit S-70 të Forcave Ajrore të Turqisë.
Ekipi turk i kërkim-shpëtimit përbëhet nga 22 oficerë dhe nënoficerë, ku mes tyre ka edhe personel mjekësor. Sipas burimeve të kësaj Ambasade, "krahas ardhjes së këtyre helikopterëve, po vazhdojnë përpjekjet për të dërguar me shpejtësi ndihma si, barna, ushqime dhe batanije nga Republika e Turqisë për popullin vëlla shqiptar për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. Siç ka ndodhur gjithmonë, edhe këtë herë shteti turk është i gatshëm të japë çdo mbështetje dhe të shprehë solidaritetin me popullin mik e vëlla shqiptar".
Nga ana tjetër edhe vetë Qeveria Shqiptare po vazhdon operacionet e furnizimit me ushqime për banorët në zonat e përmbytura. Zëdhënës i Shtabit të Emergjencave, Leonard Olli, deklaroi sot se janë shpërndarë rreth 2600 pako ushqime, kryesisht me bukë e ujë.
Ndërsa Kryqi i i Kuq Shqiptar ka nisur dje drejt qytetit të Shkodrës, në veri të vendit, dy kamionë me një kontingjent ndihmash ushqimore, batanije dhe kite higjienike. Me situatën e emergjencës që po kalon vendi janë solidarizuar dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre edhe shumë organizata joqeveritare, shoqata te biznesit etj







All the contents on this site are copyrighted ©.