2010-12-05 14:59:19

Paraqitet në Romë libri kushtuar 150 vjetorit të gazetës vatikanase, ‘L’Osservatore Romano”.


Një mesazh urimi nga Papa arriti mbrëmë në mbledhjen për paraqitjen e vëllimit, titulluar: “Gazetë e pashoqe”, në sa përkujtohej 150-vjetori i “Osservatore Romano-s” Takimi u mbajt në Ambasadën e Italisë pranë Selisë së Shenjtë, në praninë e Presidentit të Republikës së Italisë, Xhorxhio Napolitano.
Folën imzot Fernando Filoni, zevendës-sekretar i Sekretarisë së Shtetit; kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës; Nënsekretari i Presidencës së Këshillit, Xhani Letta dhe dy bashkëpunëtorët, nën kujdesin e të cilëve u realizua libri: ambasadori Antonio Xanardi Landi dhe drejtori aktual i ‘L’Osservatore Romano’, Xhan Maria Vian.
Të pranishëm, shumë kardinaj dhe disa përfaqësues të qeverisë italiane.
Takimin e hapi imzot Fernando Filoni, zëvendës-sekretar i Sekretarsisë së Shtetit të Vatikanit, i cili u përcolli të pranishëmve edhe përshëndetjen e Papës për vëllimin, kushtuar “Gazetës së pashoqe”, siç e pati quajtur kardinali Montini, Papa i ardhshëm Pali VI.
Gazeta u botua së pari në vitin 1861, me nismën e besimtarëve laikë të Papës, në çastin e prishjes me Shtetin italian në fasha. Vite të vështira, deri në fazën e re, që nisi me Paktet Lateranense të vitit 1929, kur ‘L’Osservatore Romano’ përcaktoi përfundimisht thirrjen e vet universale , duke i braktisur thekset polemike të fillimit.
Pastaj, Lufta e ftohtë ndërmjet mbifuqive e çkolonizimi i botës. Më pas, edhe shekullarizmi. Vite me vlerë të ndryshme historike, që gazeta vatikanase i tregon - siç thoshte kardinali Montini – në një farë mase, nën vartësinë e Sekretarisë së Shetit.
E i tregon me një thjeshtësi, nga e cila, sipas Xhani Lettës, “duhet të marrë shembull e gjithë bota e informacionit”.
Në faqet e gazetës tregohet historia e Kishës, që kryen misionin e vet në gjirin e botës – theksoi kardinali Ravazi.

Në kuadrin e Luftës së ftohtë, “Gazeta e pashoqe”, nuk mund të mos i kushtonte vëmendje shtetit të vogël socialist, që u vetëshpall i vetmi vend ateist në botë. Emri i Shqipërisë e i shqiptarëve lexohet shpesh në faqet e gazetës, ku spikat meraku i papëve për ta, përshkruhet historia e përgjakshme e Kishës Katolike, spikasin figurat e ndritura të dëshmitarëve të fesë, modele për mbarë Kishën universale.Do të mund të botohej një vëllim i veçantë me titullin “L’Osservatore Romano – Shqipëria e shqiptarët në faqet e gazetës”, që sigurisht do të ndihmonte për ta parë historinë e Shqipërisë e të Kosovës, në këndvështrimin e kësaj “Gazete të pashoqe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.