Koha e Ardhjes na çon drejt gëzimit të lindjes së Foshnjes Hyjnore e na bën të kujtojmë
çdo fëmijë, që lind për ta mbushur me dritë shtëpinë e me hare zemrat e prindërve
e të të afërmve. Edhe Papa foli për këtë gjatë javës së kaluar e fëmijës që lind i
kushtohet editoriali javor i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi: “Të
lutemi e të impenjohemi në favor të jetës që lind. Është ftesa e Papës në prag të
së Dielës së parë të Kohës së Ardhjes, kohë pritjeje e kthimi zemrash, kohë përgatitjeje
për të kremtuar edhe një herë ngjarjen e jashtëzakonshme të lindjes së Birit të Zotit
në mesin tonë. Zot, që mishërohet në kraharorin e një nëne, Zot fëmijë, Zot i afërt.
Si të na e thoshte me më forcë se kaq se dinjiteti ynë është tejet i lartë? Se duhet
të duhemi e të respektohemi, që kur jemi në bark të nënës? Nuk jemi kurrë
thjesht “një grumbull materiali biologjik”. Kemi qenë gjithnjë, që nga fillimi, një
projekt konkret, që zhvillohet drejt inteligjencës, lirisë dhe dashurisë, i hapur
për të vërtetën, për të bukurën, për të mirën, për amshimin. Një projekt, që nga ana
e tij, nuk mund të mos lindë nga një burim misteriozisht i madh, i aftë t’i japë zanafillën
e ta thërrasë në marrëdhënie konkrete dashurie. Buzëqeshja e fëmijëve,
që kur vijnë në dritë, na bën ta kuptojmë këtë. Buzëqeshje që ngjitet, që na fton
të duam e të falenderojmë, duke u mrekulluar për atë dhuratë më të madhe se ne vetë. Benedikti
XVI denoncon: “Fatkeqësisht, edhe pas lindjes, jeta e fëmijëve vazhdon të kërcënohet
nga braktisja, uria, mjerimi, sëmundja, shpërdorimet, dhuna, shfrytëzimi”, prandaj
u bën thirrje të gjithëve të jenë të përgjegjshëm: “Respektoje, mbroje, duaje dhe
shërbeji jetës, çdo jete njerëzore!” Ç’botë gjen Jezusi që lind? Ç’botë
përgatisim për fëmijët tanë? Duhet ta duam jetën, që çdo fëmijë të falenderojë për
ardhjen e tij në këtë botë e të mësojë ta dojë jetën e vet, të dojë të tjerët….e Zotin”.