2010-12-04 11:34:32

Liturgjia e Fjalës së Zotit dielës së 2-të të Ardhjes “A”


Dëgjues të nderuar ia përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës, kësaj radhe jemi në takimin javor me Liturgjinë Hyjnore të dielës së dytë të kohës së Ardhjes, sikur quhet kjo kohë që paraprijnë dhe na ndihmon të përgatitemi shpirtërisht për festën e Krishtlindjes, dmth Na ndihmon të bëhemi gati për ta pranuar Zotin në zemrën e jetën tonë.
Krishtlindja është festë e takimit midis dy lypsarëve: njëri lypsar dashurie: Zoti dhe tjetri lypsarë paqeje: njeriu. Ia pra, porosia e së dielës së dytë të kohës së Ardhjes: Zoti po afrohet gjithnjë më tepër afër nesh, Zoti që na dëshiron, Zoti që na dashuron, Zoti që na kërkon është mbrapa portës së qyteteve, fshatrave, familjeve tona e Ai vjen vazhdimisht brenda plagëve tona, brenda mëkateve tona për të na liruar e ripërtërijë për të na sjell jetën e vërtetë e të plotë.
E gjatë përgatitjes sonë, në këtë diele na ndihmon figura e shën Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Jezusit, dhe figura e Izaisë profet, i cili e parafoli ardhjen e Mesisë me paqen e drejtësinë e Tij, mbi rrënjët e së cilës do të ndërtohej rend i ri i bashkëjetesës paqësore e vëllazërore i familjes njerëzore, sipas shembullit që ofron Izaia me ujkun që do të banojë bashkë me qengjin, me viçin bashkë me luanin e tjerë, për çka fletë leximi i parë i kësaj së diele nga Libri i Izaisë profet.
Ardhja e Mishërimi i Zotit sjell shpëtimin për të gjithë njerëzit, mirëpo kyshpëtim hyjnor duhet pranuar e përqafuar përmes pendesës, kthimit të zemrës sonë tek Zoti, përmes pajtimit me vëllezërit tanë, përmes një jete të ndershme, të drejtë, të vërtetë, të mirë.
Fjala e Zotit e kësaj së diele na siguron se Shëlbimi i Zotit është për të gjithë njerëzit e shën Gjon Pagëzuesi bashkë me Kishën kudo në botë, na tregon praninë e Jezusit Zot si Qengjin e Hyjit, si shkakun, burimin e zanafillën e jetës dhe shenjtërimit tonë.


LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (Is 11, 1-10)

Isaia na prezanton imazhin e një shoqërie të përsosur, ku nevojat e vërteta të çdo personi dhe ato të bashkësisë realizohen së bashku konkretisht dhe në harmoni.
Në qendër të kësaj nevoje qëndron paqja; paqja arrihet me drejtësi, dhe drejtësia vjen nga Shpirti i Hyjit që është dashuria.
Isaia profet, tetë shekuj para lindjes së Mesisë e lajmëronte Krishtin Shëlbues, se do të pajtonte krijesat me Krijuesin duke derdhur gjakun e vet.


Lexim prej Librit të Isaisë profet

Në atë ditë, një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit.
S’do të gjykojë sipas pamjes së syve as s’do të vendosë sipas thashe-themeve, por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t’u japë gjyq të drejtë të përvuajturve të vendit, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin. Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besnikëri do t’i ngjeshë ijet.
Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin, fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë.
Lopa e arusha bashkë do të kullotin, këlyshët e tyre së bashku do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau. Foshnja do të luajë mbi vrimën e shlligës, në strofullin e kapastrecit fëmija në gji dorën do ta futë. S’do të bëhet dëm as s’do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit, porsi detet që mbulo-hen me ujë. Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngallisë si flamur për kombe, vetë popujt atë do ta kërkojnë, selia e saj do të jetë e lavdishme.

Fjala e Zotit

Psalmi 72 (71)

Ref:


Eja, o Zot, mbret i drejtësisë dhe i paqes.
____________

O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.
_____________

Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia
dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.
Do të sundojë prej detit në det,
prej Lumit e deri në skajin e botës.
_____________

Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,
të varfrin që nuk ka ndihmëtar.
Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin,
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.
_____________

Qoftë bekuar emri i tij në shekuj,
sa të jetë dielli mos iu harroftë emri!
Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut,
të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.
_____________

Leximi i dytë (Rom 15, 4-9)

Pali ndërsa mendon për konfliktet e ndodhura në kishën primitive, riparaqet shembullin dhe urdhërimin e Krishtit: të jemi njerëz të rinj në dashuri.
Të krishterët e çdo kohe kanë tradhëtuar bashkimin. Hyji ka bërë bashkim me njerëzit pa tradhëtuar personalitetin e Tij, kështu edhe njeriu mund t’i dojë të gjithë duke luftuar kundër së keqes dhe duke qëndruar besnik ndaj së vërtetës dhe vetvetes.

Lexim prej Letrës së
shën
Palit
apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, gjithçka që dikur u shkrua, u shkrua për mësimin tonë, në mënyrë që, me anë të qëndresës e të ngushëllimit që vjen nga Shkrimi i shenjtë, të kemi shpresë. E Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin, bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim me njëri-tjetrin siç dëshiron
Jezu
Krishti, në mënyrë që, një mendimi e një goje, ta lëvdoni Hyjin, Atin e Zotit tonë,
Jezu
Krishtit.
Prandaj, pranojeni njëri-tjetrin në shoqëri sikurse Krishti ju pranoi ju për lavdinë e Hyjit. Pohoj se Krishti u shërbeu të
rrethprerëve
për arsye të besnikërisë së Hyjit, për t’i plotësuar premtimet e dhëna etërve, e që paganët ta lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij, siç thotë Shkrimi i shenjtë: ‘Prandaj do të

lavdëroj ndër paganë dhe do t’i këndoj këngë Emrit tënd!

Fjala e Zotit


ALELUJA,
Aleluja.
Përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija!
Çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.
Aleluja.

Ungjilli (Mt 3, 1-12)

Ungjilli tregon për Gjon Pagëzuesin. Ai shpall se kthimi i zemrës është kusht për të takuar Zotin që po vjen.
Është një gjë pa kuptim të kryesh rite pastrimi pa dëshiruar ripërtëritjen e jetës sate dhe të bashkësisë sate.
Nuk mund të ketë pagëzim pa ndryshimin e mentalitetit.
Pagëzimi ynë duhet të na ripërtërijë çdo ditë në shpirtin e Hyjit dhe duhet të shkëlqejë në ne dashuria e tij.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretinë e Judesë e thoshte: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!”
Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha: “Zëri i atij që bërtet në shkreti: ‘Përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni shtigjet e tija!’”
Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijeve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. Aso herë vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit. E mbasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan.
Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: “Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? Bëni, pra, vepra të denja kthimi! As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: “Kemi atë Abrahamin!” sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve! Tashmë sëpata u vu në rrënjë të lëndëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e qitet në zjarr.
Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalët: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr. Ai e ka në dorën e vet terplotën e do ta pastrojë lëmin e vet; grurin e vet do ta mbledhë në grunar, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.”

Fjala e Zotit

Tani ti dëgjojmë leximet biblike të kësaj së diele, ta dëgjojmë Letrën që Zoti na dërgon për këtë të diele të dytë të kohës së Ardhjes në rrugën tonë drejt Shpellës së Betlehemit e pastaj edhe komentin nga dom Marjan Paloka……………RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.