Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Françesk Saverin.
(03.12.2010 RV)Shenjti rregulltar jezuit, Apostull i Indisë, Pajtor i Misioneve
njihet edhe si Pajtor i udhëtarëve dhe i turistëve, sepse gjatë jetës së tij
përshkoi më se njëqind mijë kilometra. Por kryesisht Shenjti është njëri nga jezuitët
e parë në historinë e urdhërit të mirënjohur, sepse përkrah me Injacin e Lojolës,
themeloi më 1534 Shoqërinë e Jezuitëve. Nga qyteti i Navarrës, ku kishte lindur
më 1506, në moshë të pjekur u nis për rrugë të largta. Predikoi Ungjillin e Krishtit
në Indonezi e në Japoni. Ëndrra e tij ishte ta vijonte këtë predikim edhe në Kinë,
ku nuk mundi të arrinte: vdiq fare pranë brigjeve të dëshiruara, në një ishull në
afërsi të Kantonit, më 3 dhjetor 1552. Për jetën e Shenjtit janë shkruar dhjetra
libra. Figura e tij është e mirënjohur edhe në Shqipëri, sepsè emri i shenjtit ka
qenë i gjithpranishëm në jetën e besimtarëve katolikë e të shumë shqiptarëve të besimeve
të tjera. Mjafton të kujtojmë se këtë emër mbante një nga shkollat më të famshme në
Shqipërinë e para diktaturës: Shkolla Saveriane në Shkodër (sot shkolla e mesme Atë
Pjetër Meshkalla) nën drejtimin e Jezuitëve. Libri më i fundit kushtuar jetës së shenjtit
në gjuhën shqipe është ai me titullin: "Shën Françesk Saveri" shkruar nga kryeipeshkvi
i ndjerë i Shkodrës, Imzot Frano Illia.