2010-12-03 17:19:20

Papa: nuk mund të jesh teolog në vetmi, por vetëm në bashkim me Kishën.


Nuk mund të jesh teolog në vetmi: këtë theksoi sot Papa, duke pritur, në Vatikan, anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, në përfundim të mbledhjes së tyre plenare. Benedikti XVI nënvizoi, më pas, se idealet e drejtësisë e të barazisë demokratike vdesin, në se u pritet rrënja, nga e cila lindën: krishterimi.RealAudioMP3
Teologja është e vërtetë, vetëm atëhere kur niset nga takimi me Krishtin e Ngjallur. Asnjë sistem teologjik nuk mund të mbahet në këmbë, në se nuk përshkohet fund e krye nga dashuria hyjnore. Në të vërtetë – pohoi Papa – kush zbulon në Krishtin dashurinë e Hyjit, të ndikuar nga Shpirti Shenjt në zemrat tona, dëshiron ta njohë më mirë, me një dashuri të dyfishtë: të Zotit për njeriun e të njeriut për Zotin:
“Njohja dhe dashuria na mbështesin fuqimisht. Ashtu si patën pohuar Etërit e Kishës, kush e do Zotin, nxitet për t’u bërë në një farë mënyre, teolog, njeri që flet me Zotin, që mediton për Zotin e përpiqet me të gjitha forcat të mendojë së bashku me Zotin”.
Reflektimi teologjik, falë racionalitetit – vijoi Papa - ndihmon në dialogun me besimtarët e feve të tjera, e edhe me ata, që nuk besojnë. Kjo i krijon njeriut mundësinë të mendojë për Zotin e edhe ta komunikojë atë që mendon, sepse Hyji na dhuroi arsyen, në harmoni me natyrën e vet.
Në se teologët dëshirojnë që metoda e tyre të jetë vërtet shkencore, përveç procedimit racional, duhet t’i qëndrojnë besnikë natyrës së fesë kishtare, gjithnjë në vazhdimësi, në dialog me besimtarët e edhe me teologët, që erdhën para nesh, sepse teologu nuk nis nga zeroja. Prej këndej Benedikti XVI nënvizoi unitetin e domosdoshëm ndërmjet teologëve e barinjve:
“Nuk mund të jesh teolog në vetmi: teologët kanë nevojë për shërbimin e barinjve në Kishë, ashtu si Papa ka nevojë për teologë, që e kryejnë deri në fund të fundit shërbimin e tyre, me gjithë asketizmin që kërkon”.
Krishti vdiq për të gjithë, ndonëse jo të gjithë e njohin e e pranojnë - vërejti Ati i Shenjtë. Pikërisht kjo fe na nxit t’u shërbejmë të gjithë njerëzve, në emër të Krishtit: me fjalë të tjera, impenjimi shoqëror i të krishterëve është pasojë e dëftimit të dashurisë hyjnore. Kundrimi i Hyjit të dëftuar dhe dashuria për të afërmin – përfundoi Papa - nuk mund të ndahen, edhe pse jetojnë sipas karizmave të ndryshme:
“Një bote, që shpesh vlerëson shumë dhanti të krishterimit – si për shembull idenë e barazisë demokratike... pa i kuptuar rrënjët e idealeve të veta, i duhet shpjeguar se frytet bien nga dega, në se drurit i pritet rrënja. E kjo, sepse nuk ka drejtësi pa të vërtetë, e drejtësia nuk e gjen plotësisht vetveten, në se horizonti i saj kufizohet vetëm në botën materiale. Për ne, të krishterët, solidariteti shoqëror lidhet në mënyrë të pazgjidhshme, me perspektivën e amshimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.