2010-12-03 17:19:41

Atë Kantalamesa në predikimin e parë të Kohës së Ardhjes: Krishtlindja është përgjigje, që i jepet vizionit shkencist zotmohues.


(03.12.2010 RV)“Përgjigja e krishterë shkencës ateiste”: ishte kjo tema e predikimit të parë, mbajtur sot paradite nga atë Raniero Kantalamesa, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan, në praninë e Papës. Predikatari i Shtëpisë Papnore theksoi posaçërisht karakterin e kufizuar të tezave shkencore, që përpiqen të vërtetojnë se nuk ka Zot. Prej këndej, nënvizoi se Krishtlindja, me Misterin e mishërimit, është në antitezë të plotë me vizionin e këtyre tezave.
“Kur sodis qiellin, vepër e duarve Tua, e hënën e yjet, që ti i krijove, ç’është atëhere njeriu, që ta kujtosh? Biri i Adamit, që të kujdesesh për të?” Atë Kantalamesa u nis nga kjo pyetje e Psalmistit, për të sqaruar pse në disa vende me traditë të krishterë vijon të zbehet gjithnjë më shumë mesazhi ungjillor. Në mënyrë të posaçme u ndal tek fenomeni shkencist që, siç vërente Karol Vojtila, dëshiron ta mbyllë në kufijtë e thjeshtë të imagjinatës, shkencën religjoze e teologjinë. Atë Kantalamesa kujtoi tezën e atyre që, si ateisti Dawkins, shtyhen deri atje, sa t’i quajnë ‘analfabetë” ata shkencëtarë, të cilët e shpallin botërisht besojmën e tyre. Teza të rreme, që nuk bazohen mbi argumentet e fesë, por vetëm mbi analizën e rezultateve të shkencës e të opinioneve të shumë “shkencëtarëve të famshëm”. Predikatari i krahasoi shkencëtarët ateistë, me zogjtë e natës, që nuk e njohin fare botën e ditës:
“Pikërisht këtë bën shkencëtari ateist, kur thotë: “Zoti nuk ekziston”. Gjykon një botë, të cilën nuk e njeh, i zbaton ligjet e tij, mbi një objekt që është jashtë rrezes së tij të veprimit. Për të parë Zotin, duhet hapur një sy tjetër, duhet dalë nga errësira e natës. Në këtë kuptim, vlen ende pohimi i Psalmistit: “Njeriu i pamend thotë: Zoti nuk ekziston” .
Nga ana tjetër, shtoi se mospranimi i një shkence të tillë zotmohuese, nuk duhet të çojë në lindjen e dyshimeve mbi shkencën në përgjithësi, ose, më keq akoma, në mospranimin e vetë shkencës:
“Të veprosh ndryshe, do të thotë të sillesh padrejtësisht ndaj vetë fesë, para se të sillesh kështu ndaj shkencës. Historia dëshmon dhimbshëm se ku të çon një qëndrim i tillë”.
E, pasi theksoi se debati mbi shkencën zotmohuese është vendimtar për ungjillëzimin, në një botë që ka prirjen ekologjiste t’i barazojë të drejtat e kafshëve e deri ato të bimëve, me të drejtat e njeriut, Predikatari sqaroi se vizioni ateist i realitetit, njëherësh me njeriun, shlyen nga qendra e Universit edhe Krishtin. Njeriu reduktohet në një aksident historik, që shtypet nën barrën e padurueshme e armiqësore të gjithësisë së pafundme, në gjirin e së cilës e ndjen vetën krejt të vogël e të kotë:
“Pyetja kryesore – theksoi në përfundim Predikatari - është: a jemi të aftë ne, që dëshirojmë të riungjillëzojmë botën, ta ushqejmë fenë tonë me këto përmasa marramendëse? A besojmë ne vërtet, me gjithë zemër, se gjithçka u bë përmes Krishtit e në Krishtin?”.
Pikërisht Krishtlindja- u përgjigj atë Kantalamesa - është rasti ideal për ta ripropozuar këtë pasuri të përbashkët të mbarë krishterimit: “Fjala u bë njeri, që ne vetë të mund të bëheshim të ngjashëm me Të. Prandaj Krishtlindja është në antitezë të plotë me vizionin shkencist. Ne nuk jemi fryt i rastësisë, por i dashurisë së pakufishme të Zotit".







All the contents on this site are copyrighted ©.