2010-12-02 13:52:26

Çelësi i fjalëve të Kishës: persekutimi


(02.12.2010 RV)Të dashur dëgjues, kohët e fundit dëgjojmë shpesh për të krishterët e persekutuar në Irak, në Pakistan e në vende të tjera. Shqiptarët e në veçanti të krishterët, e njohin mirë persekutimin, por sot duam të ndalemi në kuptimin e fjalës “persekutim” në Shkrimin e Shenjtë.


“Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!” (Mt 5,10-12). Këto, që janë dy lumnitë e fundit të Fjalës së Jezu Krishtit mbi Mal, hedhin një vështrim të dyfishtë mbi historinë biblike. I drejtohen së kaluarës, pasi profetët luftoheshin ashpër nga ai pushtet, që ata e sfidonin për hir të së vërtetës e të drejtësisë.
Të mendojmë për shembull për Elinë profet e për sulmin sistematik kundër tij, nga ana e mbretëreshës Jezabelë. Ose për Amosin profet, i cili kundërshtohej edhe nga meshtari zyrtar Amasia, ose për Jereminë, jeta e vështirë e të cilit do të përshkruhet prej vetë profetit në librin e tij, që nga studiuesit quhet “rrëfime”. Të mendojmë edhe për fatin e profetit të fundit, Gjon Pagëzuesit, zëri i dridhur i të cilit (“Nuk të lejohet!”) dhe jeta e tij u mor për t’i dhënë më tepër pushtet mbretit Herod Antipa. Martiri i parë i krishterë, shën Shtjefni, para se ta vuloste me gjak fenë e vet, akuzoi Sinedrin me këto fjalë kuptimplote: “Cilin prej profetëve nuk e salvuan etërit tuaj? Etërit i vranë ata që paralajmëruan ardhjen e të Drejtit e të Drejtin ju tani e tradhtuat dhe e vratë” (Vap 7,52).
Vështrimi i Krishtit, në Fjalën mbi Mal, kthehet edhe nga e ardhmja e Tij dhe e Kishës. Vërtet, në “fjalimin e tij misionar”, Krishti nuk heziton të përshkruajë një kuadër të ashpër e aspak të butë të fatit, që e pret dishepullin e Tij, si brenda familjes, ashtu edhe në bashkësinë fetare e kombëtare. Të ngjashëm me delet në mesin e ujqve, besimtarët do të shohin se rreth tyre ngrihet një perde e ftohtë me urrejtje, me mospranim, me fajësime, që do t’i detyrojnë të ikin - pikërisht siç i ndodhi Jezusit të vogël, nën mbretin Herod - e do të mbajnë në krah Kryqin deri në martirizim për besnikërinë e tyre ndaj Ungjillit (Mt 10,16-23).
E gjatë është lista e persekutimeve për bashkësitë e para të krishtera, të cilat përshkruhen në Veprat e Apostujve. Krerët e bashkësive, Apostujt, shpesh hidhen ne gjyq, fshikullohen, burgosen e madje vriten. Kuptimplotë është fati i shën Palit Apostull. Ai, që pati qenë persekutues i Kishës – siç rrëfen vetë në letrat e tij (1 Kor 15,9; Gal 1,13; Fil 3,6) – u persekutua më pas për shkak të Krishtit, u detyrua të apelojë në gjykatën më të lartë imperiale romake, e cila e dënoi me vdekje.
Pra, besnikëria ndaj fesë, ndaj drejtësisë dhe ndaj koherencës e shndërron “dëshmitarin” në “martir”, kjo e fundit, fjalë greke që do të thotë pikërisht “dëshmitar”. Figura, që marrim si shembull është ajo e Martirit në kuptimin më të thellë e më të lartë të kësaj fjale, figura e Krishtit. Jeta e tij ishte gjithnjë nën presion, vepra e fjala e tij kundërshtoheshin me forcë, fundi qe procesi dhe dënimi me vdekje. Por, ashtu si fara, që vdes në tokë, Ai, pikërisht përmes kësaj rruge, solli fryte shëlbimi. Për këtë arsye, martirizimi i Shën Shtjefnit është i ngjashëm me atë të Krishtit (Vap 7,55-60). Për këtë arsye, persekutimet e ashpra të të drejtëve, përshkruar në Librin e Zbulesës (kap. 13-14 e 17-18), kanë si horizont të fundmë lavdinë qiellore dhe jetën e amshuar në Jeruzalemin e ri e të përsosur.








All the contents on this site are copyrighted ©.