2010-12-02 17:42:45

Sa njihet aborti dhe dëmet e tij në shoqëri? Promovohet libri: “Aborti dhe prapaskenat e tij”.


(02.12.2010 RV)RealAudioMP3 Ndërprerja e shtatzanisë e analizuar nga juristë, psikologë, mjekë dhe studjues. Kjo është tema e librit “Aborti dhe prapaskenat e tij. Jeta dhe amësia e këputur.” botuar nga If Press. Libri në fjalë ka si qëllim të njihen aspektet e fshehta të kësaj plage që shumica e njerëzve nuk i di. Vëllimi u paraqit dje pranë Universitetit Evropian në Romë dhe përfshin reflektime të ndryshme mbi plagën e abortit nëpër Evropë.

Në vitin 2008 abortet e vullnetëshme në kontinent ishin tre milionë, një miliard ai i 30 viteve të fundit. Aborti vërtet rregullohet nga ligji por sidoqoftë është një çështje që zgjon shumë pikëpyetje lidhur me ndërgjegjen e individit përballë embrionit, i cili ka në vetvete jetën, qysh në çastin e shkrirjes në një të dy gameteve, mashkullore dhe femërore. Vetë Hipokrati, që në shek. e V para Krishtit, duke folur për të paralindurit thoshte: “Asnjë gruaje nuk do t’i jap barna për abort”. Po, atyre që zgjedhin rrugën e abortit, çfarë iu duhet të përballojnë?
Mbi këtë pikë delikate në mikrofonin tonë flet kujdesuesja e librit “Aborti dhe prapaskenat e tij”, Virxhinia Lali:

Përgjigje: Më shumë se 70 % e grave që kanë abortuar vuajnë nga sindroma e mbas-abortit si përshembull, përjetojnë të kaluarën, kanë haluçinacione edhe ditën, kanë ankthe natën e në disa raste rezultatet kanë qenë shumë dramatike.

Pyetje: Çfarë qëndrimi duhet mbajtur kundrejt këtyre problemeve?

Përgjigje: Padyshim duhet mbështetje më e madhe për nënat si edhe zbatim i neneve të para të ligjit 194, të cilat nene parashikojnë edhe një varg masash në ndihmë të nënave. Kjo pjesë e ligjit nuk zbatohet, dhe nëpër konsultore gratë nuk gjejnë ndihmën e duhur për të cilën kanë aq shumë nevojë.

Po për çfarë prapaskenash e kemi fjalën kur flasim për abortin? Përgjigjet gazetarja Alesia Afinito:

Përgjigje: “Problemi është se duhet ta kuptojmë më thellë këtë dukuri. Jemi rritur në një kulturë që na thoshte se aborti është diçka private, i përket vetëm gruas, por nuk është kështu, sepse secili prej nesh është pjesë e një sistemi marrëdhëniesh, prandaj është problem edhe i babait. Është një problem shoqëror.”

Pra e drejta dhe morali, - përsa i përket abortit, - duket se janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Si mund të pajtohet atëherë liria individuale me etikën? Kësaj pyetje i përgjigjet docenti i filozofisë të së drejtës pranë Universitetit Evropian, në Romë Mario Palmaro:

Përgjigje: Në pamje të parë duket se ndalimi i abortit është mohim i një së drejte: i asaj të gruas për të vendosur. Por në fakt, në abortin e qëllimshëm, individët e përfshirë janë dy: foshnja dhe nëna. Prandaj nuk mund ta quajmë abortin e qëllimshëm si një çështje ndërgjegjeje, një problem që i duhet besuar vullnetit të gruas, sepse kjo e drejtë i bie ndesh të drejtës së foshnjës për të jetuar. Prandaj është detyrë e organeve ligjëvënëse të kufizojnë lirinë e gruas në raste të tilla, që të mbrohet e drejta e foshnjës për të jetuar. Liria individuale për të cilën flet aq shumë shoqëria jonë shpesh interpretohet si e drejtë për të bërë atë që dëshirojmë, t’i shndërrojmë dëshirat në të drejta. Por një qenie njerëzore e pafajshme ka të drejtë për të jetuar që është shumë më e fortë sesa vullneti për ta zhdukur këtë jetë. Pra, ajo çka është e kuptueshme nuk është gjithmonë e justifikueshme dhe ligji njerëzor duhet ta mbrojë me një fuqi të jashtëzakonshme jetën e foshnjes në barkun e nënës. Këtu përplasen dy pikëpamje mbi të drejtën: njëra e tipit pozitivist, simbas së cilës ekziston vetëm e drejta pozitive dhe një tjetër, me prirje juridiko-natyraliste, e cila thotë se ligji pozitiv i duhet përmbajtur ligjit natyror. Nëse njihet ekzistenca a ligjit natyror atëherë kuptohet se edhe të gjitha ligjet që e pranojnë abortin janë tepër të padrejta sepse i bien ndesh të drejtës themelore që është e drejta e jetës.

Pyejte: A ka ndonjë mënyrë për t’iu përgjigjur problematikave që sot na shtrohen për zgjidhje përsa i përket abortit dhe legjislacionit në fuqi?

Përgjigje: Para së gjithash besoj se hapi i parë është të gjykojmë me rreptësi të veçantë dhe qartas ligjet e padrejta si të tilla. Kjo nuk sjell medoemos shfuqizimin e tyre, i cili është një proces politik e kulturor shumë i gjatë, por shkalla e parë është pikërisht gjykimi i qartë, i palëkundur, i rreptë i padrejtësive që mbart një ligj si ai 194 apo ligje të tjera. Ky gjykim, pastaj vë në lëvizje një sërë veprimesh, si ato të një politikani, të cilat mund të ndjekin këtë udhë.







All the contents on this site are copyrighted ©.