2010-12-02 15:10:33

Papa në meshën për shpirt të Manuela Kamanjit: dëshmoi se kush bën pjesë në kujtesën e Zotit është i gjallë


(02.12.2010 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI kremtoi sot paradite në Kapelën Paoline meshën për shpirt të Manuela Kamanjit, gruas së bashkësisë “Memores Domini”, që shërbente në apartamentin papnor dhe që humbi jetën gjatë një aksidenti automobilistik më 23 nëntor. Në homeli, Papa e kujtoi me mirënjohje dëshminë e fesë, urtinë dhe solidaritetin e laikes së shuguruar, duke u ndalur në shpjegimin e fjalës “Memor Domini”, në kuptimin e këtij “kujtimi të Zotit”. Kujtim, theksoi Ati i Shenjtë, që nuk ka të bëjë aq me të kaluarën, por është shenjë e pranisë së gjallë të Zotit tek çdo njeri.
Dora e Krijuesit, kodi gjenetik i Tij është i shkruar në thellësi të çdo njeriu e mund ta kujtojmë, t’i shohim gjurmët e Zotit në gjithësi. Është kujtimi i pranisë së Hyjit, tha Papa:
“Është edhe kujtim i së ardhmes, pasi jemi të sigurtë se vijmë nga mirësia e Zotit dhe jemi të thirrur të arrijmë tek mirësia e Zotit. Prandaj, në këtë kujtim, gjendet edhe elementi i gëzimit, origjina jonë është tek gëzimi, që është Zoti, dhe ne jemi të thirrur të shkojmë drejt gëzimit të madh. E dimë se Manuela ishte një person, që përshkohej nga gëzimi, pikërisht nga ai gëzim, që vjen nga kujtimi i Zotit”.
Por, vërejti Papa, kujtesa jonë, ekzistenca jonë, plagosen nga mëkati. Kujtimi i Zotit errësohet, apo mbulohet nga kujtime të tjera sipërfaqësore, që nuk na lejojnë të shkojmë deri në fund, deri në kujtimin e vërtetë. Pikërisht për shkak të këtij errësimi të Hyjit, edhe gëzimi mbulohet, errësohet, duke na detyruar ta kërkojmë në vende të ndryshme:
“Shohim sot këtë kërkim të dëshpëruar të gëzimit, që largohet gjithnjë e më shumë nga burimi, nga gëzimi i vërtetë. Errësim i Zotit, errësim i kujtesës sonë të vërtetë: Manuela nuk ishte ndër ata që e kanë bjerrë kujtesën, jetoi në kujtimin e gjallë të Krijuesit. Në gëzimin e krijimit të Tij, duke parë qartë Zotin në gjithësi, edhe në ngjarjet e përditshme të jetës, kuptoi se nga kjo kujtesë vjen gëzimi”.
Si anëtare e bashkësisë “Memores Domini”, tha Papa, Manuela e dinte se Zoti është më i fortë se vdekja, është burim i jetës së amshuar:
“Zoti nuk është Hyji i të vdekurve, është Perëndia e të gjallëve e kush bën pjesë në emrin e Zotit, kush qëndron në kujtesën e Zotit është i gjallë, madje, ne njerëzit, me kujtesën tonë mund të ruajmë vetëm një hije të personave që kemi dashur. Por kujtesa e Zotit nuk ruan vetëm hije, është zanafilla e jetës: këtu jetojnë të vdekurit, në jetën e Tij dhe me jetën e Tij kanë hyrë në kujtesën e Zotit, që është jetë”.
Papa e përfundoi homelinë, duke nënvizuar se në liturgjinë pas Koncilit II të Vatikanit, këndohet Aleluja edhe në meshën për shpirtin e të vdekurve. Ne, pranoi Benedikti XVI, ndjejmë sidomos dhimbjen për humbjen, ndjejmë mungesën, të kaluarën. Por, liturgjia e di se ne jemi në të njëjtin Korp të Krishtit e jetojmë në kujtesën e Zotit:
“Në këtë kryqëzim të kujtesës së Tij dhe tonës jemi të bashkuar, të gjallë dhe i lutemi Zotit, që ta ndjejmë gjithnjë e më shumë këtë bashkim kujtesash, që kujtimi ynë i Zotit në Krishtin të bëhet gjithnjë e më i gjallë e kështu, të mund ta ndjejmë se jeta jonë e vërtetë është në Të”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.