2010-12-01 18:03:17

“Drejt Krishtlindjes. Shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: një faqe historie.


(01.12.2010 RV)Po vijojmë meditimin tonë, në rrugën drejt Krishtlindjes, duke shfletuar një faqe të lashtë historie. Në të lexojmë se Koha e përgatitjes për ardhjen e Zotit zëvendësoi një festë tjetër, pagane, me të njëjtin emër: “Adventus”, apo “Parusia”, fjalë, kjo e fundit, që vjen nga greqishtja e do të thotë prani, sepse festa e lashtë simbolizonte pikërisht praninë e përditshme të hyjnive në jetën e njeriut e, njëkohësisht edhe përvjetoret e vizitave të Perandorit, i cili asokohe konsiderohej si perëndi.
Krishtlindja nisi të kremtohej për herë të parë në Romë, në shekullin IV, ndërsa koha e përgatitjes për festën e madhe, që ndërroi natyrë por jo emër, e u quajt “Adventus”, nisi të kremtohej dy shekuj më vonë. Lindi në ngjasim të Kreshmëve, sepse që në fillim Krishtlindja u konceptua si kremtim i Ringjalljes së Krishtit, ditën kur përkujtohet ditëlindja e Zotit në Shpellën e vogël e të mjerë të Betlehemit.
Në vitin 380, Koncili i Saragozës, vendosi që gjatë kësaj Kohe, besimtarët të mblidheshin çdo ditë e të përgatiteshin shpirtërisht për festën.
Më pas, Kohës së Pritjes iu kushtuan disa javë e, ashtu si në Kohën e Kreshmëve, besimtarët nisën të përgatiten me lutje e agjërim. Prej këndej, kjo Kohë në zanafillë u quajt “Kreshmët e Shën Martinit”, sepse agjërimi niste më 11 nëntor. E dëshmon këtë Gregori i Turit, rreth shekullit VI. Asokohe Adventi kremtohej duke nisur nga 17 dhjetori, deri më 6 janar, në festën e Dëftimit të Zotit. Është solemniteti, që mbyll radhën e festave të mëdha, të cilat e mbushin plot me dritën e ngrohtësinë e Shpellës së Betlehemit e të Bredhit vezullues, zymtinë e zemrës së ngrirë të dimrit. E edhe të zemrës së njeriut, që mbështillet mbrenda një indi rrezesh!







All the contents on this site are copyrighted ©.