2010-12-01 17:14:39

Të plagosurit e atentatit në Katedralen e Bagdadit takohen me Papën, ndërsa në Mosul vritet një i krishterë tjetër.


(01.12.2010 RV)Një viktimë tjetër në gjirin e bashkësisë së krishterë në Irak: sot, në një pritë, u vra një i ri irakian, ndërsa i vëllai u plagos, pikërisht në sa Benedikti XVI takohej, në Vatikan, me të plagosurit e atentatit të 31 tetorit në Bagdad, të shtruar në Poliklinikën romake ‘Gemelli’.

Papa i përshëndeti një për një të plagosurit. U foli fjalë afërsie, ngushëllimi, urate. Duke i përqafuar, përqafonte njëkohësisht gjithë të krishterët, viktima të dhunës e të padrejtësive, në të katër anët e botës. Ishin 26 personat, me të cilët Benedikti XVI u takua, në Sallën e vogël, ngjitur me Sallën e Palit VI, në përfundim të audiencës së përgjithshme. Është fjala kryesisht për të plagosurit në atentatin e 31 tetorit në Katedralen siro-katolike të Bagdadit të cilët, të shoqëruar nga familjarët, munden të arrijnë në Itali për t’u mjekuar. Papa, më pas, kujtoi edhe 57 viktimat e atentatit, në sa shikonte fotografitë e tyre.
E gjithë kjo ndodhi pikërisht në ditën, kur bashkësia e krishterë në Irak qan për një jetë tjetër të këputur mizorisht. Sipas kanalit vendas të internetit “Ankawa’, është fjala për Fadi Valid Xhibrailin, protestant 26 vjeçar, që punonte në një dyqan ushqimor. U vra me armë zjarri në mes të njërës nga rrugët e Mosulit. Në pritë mbeti i plagosur edhe i vëllai, ndërsa javën e kaluar, dy vëllezër të tjerë, katolikë, u vranë në zonën industriale të të njëjtit qytet.
Bashkësia e krishterë e Irakut, në vitet ’90 numëronte një milion besimtarë: sot janë më pak se gjysma. Vetëm në kryeqytet, nga 450 mijë vetë, kanë mbetur vetëm 150 mijë. Shumë familje kanë vendosur të ikin, jashtë vendit ose në zona, që konsiderohen më të sigurta: 86 bërthama familjare kanë arritur në Sulejmanie, në Kurdistanin irakian, ku jetonin edhe 40 të tjera. Atyre, që kanë vendosur të mbeten në Bagdad, kryesia e klerit sunit e shiit u ka shprehur gjithë solidaritetin e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.