2010-12-01 16:54:14

Kardinali Turan kthehet nga Pakistani: presidenti Zardari do të rishikojë ligjin mbi blasfeminë


(01.12.2010 RV)Kardinali Zhan-Lui Turan u kthye nga vizita 4-ditore në Pakistan, ku shkoi të ndërhynte për shpëtimin e Asia Bibit, e krishterë e dënuar me vdekje për blasfemi, nënë e 5 fëmijëve, për të cilën e ngriti zërin edhe Papa më 17 nëntor, gjatë audiencës së përgjithshme. Kryetari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar u takua në Islamabad me presidentin e vendit, Ali Zardari, me autoritete të tjera politike dhe me bashkësinë katolike. Në Raualpindi kremtoi meshën sëbashku me 2.500 besimtarë, ndërsa në Lahore, kryeqyteti kulturor i Pakistanit, u takua me rregulltarët e rregulltaret dhe përuroi qendrën ndërfetare për dialog të etërve domenikanë. Të dëgjojmë përshtypjet e vetë kardinalit Turan, në mikrofonin tonë:
Ajo që vërtet më mallëngjeu – e më duket se ky është aspekti më i rëndësishëm e madje qëllimi i vizitës – është se u krijua mundësia, që të krishterët e vendit, të cilët jetojnë tepër të ekspozuar, e ndjenë veten pjesë të një familjeje të madhe, të familjes katolike: kanë një atë, që është Papa, dhe vëllezër e motra, që i mbështesin… Prandaj ishte e rëndësishme të shkoja, për t’u shfaqur solidaritetin shpirtëror të krejt Kishës, e ata e kuptuan fort mirë.
Një udhëtim për t’u dhënë guxim…
Pikërisht! Inkurajim për vëllezërit tanë, që jetojnë në situata tensioni të madh, por që janë edhe shumë të guximshëm. Për shembull, askush nuk tha të lihet mënjanë dialogu me myslimanët: aspak! Të gjithë janë të bindur se dialogu është i nevojshëm. Por, ekziston gjithnjë ky dallim ndërmjet krerëve dhe bazës: me krerët arrijmë të dialogojmë, por me bazën është shumë e vështirë.
Si u pritët nga autoritetet e vendit? A jua vunë veshin?
Sigurisht! U prita me shumë mirësjellje nga presidenti i Republikës. Ai shprehu interes të madh për qëndrimin e Selisë së Shenjtë mbi lirinë e fesë. Gjëja më e rëndësishme është se presidenti i Pakistanit ka formuar një komision, të kryesuar nga ministri për Pakicat, i cili ka për qëllim rishqyrtimin e ligjit mbi blasfeminë, e ndoshta edhe shfuqizimin e tij. U takova edhe me zv.ministrin e jashtëm e bisedova gjatë me ministrin për Pakicat, që është i krishterë. Në përgjithësi, misioni im ka qenë i suksesshëm.
Cili është mesazhi që u përçuat autoriteteve përsa u përket të krishterëve dhe diskriminimet e persekutimet kundër tyre?
Natyrisht, shpreha ndjenjat e bashkësisë së krishterë, duke i thënë presidentit dhe të tjerëve, se të krishterët në Pakistan konsiderohen si nënshtetas të dorës së dytë. Të gjithë janë dakord, se dialogu është zgjidhja e vetme, por shihet një lloj ngurtësie nga ana e myslimanëve. Gjithsesi, në fund të fundit, kjo varet shumë nga gjendja ndërkombëtare…
Cilat janë shqetësimet kryesore të të krishterëve në Pakistan?
Ajo që i shqetëson më shumë është pasiguria për të ardhmen. Por, janë të bindur se janë pakistanezë e se duhet të qëndrojnë në vendin e tyre. Janë shumë të guximshëm dhe koherentë: ipeshkvijtë e meshtarët u qëndrojnë afër. Pra, në jetën e përditshme dialogu është i mundur. Problemi qëndron te shkollat, ku në orën e fesë, krishterimi shpjegohet me karikatura e, të krishterët e vuajnë këtë.
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga ky udhëtim? Një ngjarje, një takim, që e kujtoni në mënyrë të veçantë…
Më bëri shumë përshtypje dashuria e njerëzve, e besimtarëve për Papën: tek unë, ata panë interesimin e Papës, e kuptuan mirë pse isha aty: për t’u marrë vesh, për të përjetuar ngjarjet me ta, për t’i dashur. Duhet të kemi gjithnjë parasysh se me Kohën e Ardhjes jemi në rrugë drejt Krishtit e Krishti vjen ndrejt nesh. Koha që kalon pra, nuk është diçka, që thjesht ‘kalon’ e s’kthehet më, është Dikush që vjen të na takojë. E kjo u jep të gjitha gjërave njerëzore një përmasë të veçantë. Duhet të jemi të bindur, siç u thashë njerëzve në Pakistan, se ‘Zoti iu ka ngulur në këtë anë të botës dhe këtu duhet të lulëzoni’.







All the contents on this site are copyrighted ©.