2010-12-01 13:18:10

Benedikti XVI i fton katolikët e mbarë botës të luten për Kinën në këtë çast të vështirë.


(01.12.2010 RV)Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Papa bëri thirrje për Kishën në Kinë. T’i dëgjojmë fjalët e tij:RealAudioMP3
“Ia besoj lutjeve tuaja e të katolikëve të mbarë botës, Kishën në Kinë, që, siç e dini, po jeton çaste vërtet të vështira”.
Benedikti XVI u shprehu përsëri afërsinë e tij katolikëve kinezë dhe i bëri thirrje Kishës universale të jetë solidare me këtë bashkësi kishtare, të vogël, por të guximshme.
Vetëm një javë më parë Papa pati shprehur keqardhjen e tij të thellë për lajmin e shugurimit ipeshkvnor të të nderuarit Jozef Gua Çingçai. Shugurimi u kremtua të shtunën, më 20 nëntor, në Çendè, në provincën kineze të Hebei-t.
Shugurimi – pati njoftuar, përmes një note, Salla vatikanase e Shtypit - u kremtua pa mandat apostolik e, prandaj, duhet konsideruar si plagë që dhemb në bashkimin kishtar e, jo më pak, edhe si shkelje e disiplinës katolike.
Përveç kësaj, ipeshkvij të ndryshëm, iu nënshtruan presioneve dhe kufizimeve të lirisë së lëvizjes, me qëllim që të detyroheshin për të marrë pjesë në kremtim e për të dhënë sakramentin e shugurimit ipeshkvnor. Kufizime të tilla nga ana e autoriteteve qeveritare e atyre të sigurimit të shtetit kinez - nënvizohej në notë - përbëjnë një dhunim të rëndë të lirisë së fesë e të ndërgjegjes. Selia e Shenjtë ruan të drejtën të përgjigjet më vonë, pasi ta ketë vlerësuar thellësisht ngjarjen, ndërmjet tjerash, edhe në këndvështrimin e vlerës së shugurimit dhe të pozitës kanonike të ipeshkvijve, që morën pjesë në të.
Sot Papa i dha një përgjigje kësaj ngjarjeje, duke u drejtuar katolikëve të mbarë botës ftesën:
“T’i lutemi Virgjërës Mari, Ndihma e të Krishterëve, t’i ndihmojë të gjithë ipeshkvijtë kinezë, shumë të dashur për mua, ta dëshmojnë me guxim fenë e tyre, duke i mbështetur të gjitha shpresat në Shëlbuesin, që e presim. Ia besojmë Virgjërës Mari edhe të gjithë katolikët e këtij Vendi të dashur që, me ndërmjetësinë saj, të mund të jetojnë si të krishterë të mirëfilltë, në bashkim me Kishën universale, duke kontribuar, kështu, edhe për harmoninë e të mirën e përbashkët të popullit të tyre fisnik”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.