2010-11-30 15:26:14

Papa: Shën Andreu na mësoftë ta ndjekim Krishtin me gatishmëri e t’u flasim edhe të tjerëve me entuziazëm për Të.


(30.11.2010 RV)Sot Kisha feston Shën Andreun Apostull, të cilit Papa i ka kushtuar katekizmin e audiencës së përgjithshme të 14 qershorit 2006.
Andreu, vëllau i Pjetrit, qe i pari ndërmjet Apostujve, që u thirr për ta ndjekur Jezusin. Pikërisht në saje të lidhjes së tyre vëllazërore Kisha e Romës dhe e Kostantinopojës janë vërtetë motra. Për t’i theksuar më shumë këto marrëdhënie, Pali VI ia ktheu, më 1964, reliken e Shën Andreut, deri asokohe ruajtur në Bazilikën e Vatikanit, ipeshkvit metropolit ortodoks të qytetit Patras në Greqi ku, sipas traditës, u kryqëzua Apostulli.
Mbi këtë bazë liturgjia e Kishës bizantine e nderon me titullin Protóclitos, që do të thotë pikërisht ‘i thirruri i parë’. Sipas një tradite tepër të lashtë, është Andreu apostulli që ia kumtoi Jezusin botës greke. Pjetri, nga Jeruzalemi, përmes Antiokisë, arriti në Romë për të ushtruar misionin e tij universal; ndërsa Andreu qe apostull i botës greke: ata, në jetë e në vdekje, i shikojmë gjithnjë si vëllezër të vërtetë – të lidhur me një vëllazëri që shprehet simbolikisht në lidhjen e posaçme të Selive të Romës e të Kostantinopojës, Kisha vërtetë motra.
Pas Pjetrit dhe përvojës së tij të jashtzakonshme njerëzore e shpirtërore, edhe Andreu, peshkatar si i vëllai, Simoni, njeri plot fe e shpresë, dishepull i Shën Gjon Pagëzuesit, në kërkim të Mesisë, takohet me Krishtin. E menjëherë pas këtij takimi, vrapon te Simon-Pjetri për t’i thënë: “E kemi gjetur Zotin”. Ky është porteti i Andreut Apostull, sipas katekizmit të Papës. Pas Shën Pjetrit, Shën Andreu, që do të gëzonte nderim të thellë në gjirin e bashkësive të para të krishtera, do të kumtonte i pari Ungjillin ndërmjet grekëve, duke lidhur me një lidhje të posaçme dy Kishat: atë romake me atë bizantine.
Përmes fragmenteve të Ungjijve, që flasin për veprimtarinë apostolike të Andreut, mund ta njohim së afërmi personalitetin e Apostullit, realizmin e tij në shumëzimin e bukëve, kur flet për djaloshin që kishte shportën me bukë e peshq e vë në dukje se ishin tepër pak për të ngopur turmën. Ose kur, së bashku me Pjetrin, Jakobin e Gjonin, e pyet Jezusin për rrenimin e Tempullit, duke i krijuar kështu mundësinë të shqiptojë një fjalim të rëndësishëm mbi mbarimin e kohëve.
E duke e kujtuar këtë ngjarje, mund të arrijmë në përfundimin se nuk duhet të kemi frikë t’i bëjmë pyetje Jezusit por, njëkohësisht, se duhet të jemi gati t’i pranojmë mësimet që na jep Zoti, edhe kur na duken të çuditshme e të vështira.
Është një mësim themelor ky, që Shën Andreu ua jep të krishterëve kur, në Patras, përballon vdekjen mbi kryq, mbi kryqin në formë iksi, të cilin ai nuk e shikon si një vegël torture, por si mjet të pakrahasueshëm për t’u bërë një me Krishtin.
Ne duhet të marrim prej këndej një mësim tepër të rëndësishëm: kryqat tonë fitojnë vlerë, në se i mbartim si pjesë të kryqit të Krishtit. Vetëm nga ky Kryq edhe vuajtjet tona fisnikërohen e fitojnë kuptimin e tyre të vërtetë.
Andreu Apostull na mëson ta ndjekim Krishtin me gatishmëri, t’u flasim me entuziazëm për Të të gjithë atyre që takojmë e, mbi të gjitha, të mbajmë kurdoherë një lidhje vërtetë familjare me Të, të vetëdijshëm se vetëm në Të mund të gjejmë kuptimin e fundit të jetës sonë e të vdekjes sonë.

 







All the contents on this site are copyrighted ©.