2010-11-30 17:22:08

Meksikë: zëri i Kishës në Konferencën e OKB-së për ndryshimet klimatike.


(30.11.2010 RV)Dje u hap në Kankun, Meksikë konferenca mbi ndryshimet klimatike. Takimi mbahet çdo vit (ky është viti i 16-të), dhe ka si qëllim arritjen e një mirëkuptimi me bazë të gjerë ndërmjet vendeve, - duke filluar nga më të zhvilluarat, - për ta zvogëluar sa më shumë konsumin e lëndëve, djegia e të cilave ndikon në klimën e rruzullit. Ngrohja globale, në fakt, po rritet, prandaj konferenca synon që temperatura e atmosferës së planetit të zvogëlohet me të paktën 1,5 gradë Celsius.
“Kisha në konferencën e Kankunit përfaqësohet nga Karitasi, i cili do të paraqesë veprën shoqërore të Kishës katolike, jo vetëm përsa i përket ndihmës që i jepet viktimave të fatkeqësive natyrore por edhe zhvillimit të zakoneve e të etikës së konsumit.” thuhet në një notë dërguar agjencisë Fides nga Karitasi ndërkombëtar.
Gjatë punimeve të konferencës Karitasi do t’i bëjë thirrje qeverive të të gjithë botës të impenjohen për dy çështje tepër të rëndësishme: e para, për financimin dhe mbrojtjen e bashkësive më të brishta, viktima të ndryshimeve klimatike, dhe e dyta, të arrihet një marrëveshje e drejtë, ambicioze sipas protokollit të Kiotos dhe që i detyron shtetet ta zvogëlojnë nivelin e gazrave të nxjerra në atmosferë.
“Nuk duhet harruar se çështja e mjedisit është një problem shoqëror dhe për këtë arsye, – siç vë në dukje dokumenti i përgatitur nga Kisha për këtë pikë, me titull “Ndryshimet klimatike, në dritën e enciklikës “Caritas in Veritate” dhe të doktrinës shoqërore të Kishës”, – duhet bërë dallim mes shqetësimeve të njeriut për natyrën dhe interesave të grupeve politike apo ekonomike”. – lexohet në këtë komunikatë. Dokumenti përfundon duke nënvizuar pjesëmarrjen në konferencë të disa personave dhe institucioneve që kërkojnë vetëm famë sepse zotimet që kanë marrë nuk i kanë mbajtur asnjëherë dhe nuk kanë asnjë impenjim real për çështjen ekologjike.







All the contents on this site are copyrighted ©.