2010-11-30 15:26:26

Irak: arrestimi i përgjegjësve për sulmin në katedralen e Bagdadit nuk i bind të krishterët.


(30.11.2010 RV)“Vetëm gënjeshtra, sa për t’u dukur, për t’i bërë besimtarët dhe bashkësinë ndëkombëtare të besojnë se qeveria e re irakiane po punon për t’i garantuar sigurinë bashkësive fetare që përbëjnë pakicë në vend”. Ky është reagimi i bashkësisë së krishterë irakiane ndaj lajmit të arrestimit të 12 terroristëve të atentatit në katedralen e Bagdadit më 31 tetorin e kaluar. Më 27 nëntor forcat irakiane të sigurisë njoftuan se kishin kapur një udhëheqës të Al-Kaedës dhe 11 njerëz të tij të përfshirë në sulmet të ndryshme në kryeqytet. Bëhet fjalë për komandantin ushtarak të Al-Kaedës në Bagdadin perëndimor Hudaifa Al-Bataui. Operacioni, sipas televizionit shtetëror Irakia cituar nga agjencia Azianjuz, u krye më 24 nëntor. 12 të arrestuarit kanë pranuar se janë përgjegjës për një varg atentatesh përfshi edhe atë në katedralen e Bagdadit që shkaktoi 57 të vrarë.
Gjatë operacionit të policisë u zbuluan edhe katër ndërtesa ku përgatiteshin autobomba si edhe gjashtë ton lëndë shpërthyese. Sidoqoftë lajmi nuk duket se i ka qetësuar aspak të krishterët irakianë. “Është gënjeshtër sepse na kanë thënë se terroristët u vranë të gjithë gjatë operacionit të forcave speciale për çlirimin e pengjeve në kishë” - u shprehën disa përfaqësues të bashkësisë së krishterë.” Ndërkaq është dyfishuar numri i familjeve që po braktisin Bagdadin për të shkuar në qytetin Sulajmania në veri të vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.