Imzot Veliò në konferencën e Senegalit mbi emigracionin femëror: gratë shfrytëzohen,
qeveritë të mbrojnë të drejtat e tyre
(30.11.2010 RV)Dy milion gra shfrytëzohen, nganjëherë edhe rëndë, vetëm e vetëm
sepse janë të detyruara të emigrojnë nga vendi i origjinës. Një masë “e padukshme”,
që ka nevojë për mbrojtje. Kryetari i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve
dhe Endacakëve, imzot Antonio Maria Veliò e ngriti zërin për këtë në konferencën,
që po zhvillohet në Seli të Senegalit, me temë “Fytyra femorërore e emigracionit”.
Takimi, që do të përfundojë më 2 dhjetor, është organizuar nga Karitasi Ndërkombëtar. Ka
vende ku emigracioni femëror e ka tejkaluar atë mashkullor. Imzot Veliò u shpreh qartë:
në asnjë vend të botës nuk ka akoma ligje për lejen e lindjes, që të marrin parasysh
faktin se gra nga vende të ndryshme e konceptojnë këtë periudhë në mënyra të ndryshme.
Qeveritë, vazhdoi më tej kreu i dikasterit vatikanas për emigracionin, duhet të ndërhyjnë
në mbrojtje të grave me ligje kundër abuzimeve në punë, kundër abuzimeve seksuale,
me norma që sigurojnë mundësinë e përdorimit të shërbimeve shëndetësore, të strehimit,
të bashkimit familjar e të asistencës për nënat e reja. Ndërkaq, vetëm 42 shtete e
kanë ratifikuar Konventën ndërkombëtare për mbrojtjen e punëtorëve emigrantë dhe të
familjeve të tyre. Imzot Veliò kujtoi se pjesa më e madhe e grave emigrante bëjnë
punë shtëpie, u shërbejnë të moshuarve ose fëmijëve. Por shpesh kjo është punë pa
dokumenta, gratë shfrytëzohen dhe me to abuzohet. 4 milion gra në botë, gjysma e të
cilave jo në moshën madhore, kanë hyrë në trafikun e prostitucionit, i cili kap fitime
prej 12 miliard dollarësh në vit. “Mundësia e pamjaftueshme për pjesëmarrjen shoqërore,
politike dhe kulturore, që shoqëria civile i garanton sot gruas – përfundoi imzot
Veliò – ndikon në bashkësitë tona të krishtera, të cilat janë të thirrura të vlerësojnë
para së gjithash vlerat, jetën e përditshme dhe kulturën e çdo gruaje emigrante”.