2010-11-29 18:55:44

Një delegacion i Selisë së Shenjtë në Kostandinopojë për festën e Shën Andreut.


(29.11.2010 RV)Në kuadrin e shkëmbimeve të delegacioneve për festat e Shenjtorëve Pajtorë: më 29 qershor, në Romë, për kremtimin e Shën Palit e të Shën Pjetrit apostuj e më 30 nëntor, në Stamboll, për kremtimin e Shën Andreut, një delegacion i Vatikanit arriti sot në Stamboll për festën e Patriarkanës Ekumenike. Kryesohet nga kardinali Kurt Koch. Kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve - nënvizon një komunikatë e Sallës vatikanase të Shtypit – shoqërohet nga ipeshkvi Brian Farell, sekretar i dikasterit dhe nga i nderuari Andre Palmieri, nëpunës pranë Sektorit Lindor të të njëjtit dikaster. Në Stamboll, me delegacionin do të bashkohet edhe nunci apostolik në Turqi, kryeipeshkvi Antonio Lucibello.
Delegacioni do të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore të festës së Shën Andreut, në Kishën e Shën Gjergjit në Fanar, e cila konsiderohet si Vatikani i ortodoksëve.
Do të takohet, më pas, me Patrikun dhe do të bisedojë me anëtarët e Komisionit sinodal, të ngarkuar për marrëdhëniet me Kishën katolike.
Kujtojmë se katër vjet më parë, më 29 nëntor 2006, Ati i Shenjtë ishte për vizitë në Turqi, ku u takua me vëllezërit e Lindjes. Papa pati ndjekur me vëmendje të madhe Liturgjinë Hyjnore, kryesuar nga Bartolomeu I, duke ndjerë keqardhje që nuk mund ta ndanin së bashku të njëjtën bukë e të njëjtin kelk.
“Ne përkulemi me përvujtëri e pendim – pati thënë Patriku Bartolomeu I – para Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse e kemi ndarë më dysh tunikën e Tij të endur një cope. Por nuk mungon edhe gëzimi i ecjes së bashku në rrugën e dashurisë, si nxënës të Krishtit. E Patriku shprehu gëzimin për praninë e vetë Papës, në Kishën motër, Kishë me numër të vogël, por me nderim të madh.
Është dashuria vëllazërore – iu përgjigj Papa në fjalimin e tij – që e shtyu Pasardhësin e Shën Pjetrit të vijë në Kishën e themeluar nga i vëllai, Andreu, apostulli, i cili u thirr i pari nga Jezusi. Është impenjimi për unitet, që filloi në vitin 1964 nga Papa Pali VI e Atenagora, të cilët shfuqizuan – vijoi të pohonte Papa – mallkimet tragjike të vitit 1054:
Ndasitë ekzistuese ndërmjet të krishterëve janë shkandull për botën e pengesë për shpalljen e Ungjillit – pati pohuar Benedikti XVI. - Në prag të mundimeve e të vdekjes, Zoti, i rrethuar nga nxënësit e vet, u lut me gjithë zemër që ata të ishin një, kështu që bota të mund të besonte. Mesazhi i dashurisë së Zotit për çdo burrë e çdo grua mund të bëhet i besueshëm vetëm përmes bashkimit vëllazëror dhe dashurisë së anasjelltë ndërmjet të krishterëve”.
Këtë qëllim ka edhe prania e delegacionit të Vatikanit në Stamboll, në kremtimet e Shëna Ndreut 2010.







All the contents on this site are copyrighted ©.