Furtuna Wikileaks. OKB-ja kritikon SHBA-të: janë dhunuar Kombet e Bashkuara
(29.11.2010 RV)Mijëra dokumenta të rezervuara kanë shkaktuar një furtunë diplomatike
në gjithë botën. Janë dokumenta të Uashingtonit, që faqja e internetit Wikileaks i
ka publikuar dje, duke zbuluar kështu gjykimet e pathëna të diplomacisë amerikane
për shumë krerë botërorë, si edhe shumë prapaskena delikate ndërkombëtare. Ndër më
të ndjeshmet, përpjekja e CIA-s për të spiunuar udhëheqësit e OKB-së. I menjëhershëm,
reagimi i Pallatit të Qelqit, që në një deklaratë të zëdhënësit, i kujton SHBA-ve
se Kombet e Bashkuara janë të padhunueshme. Ndërsa zëdhënësi i qeverisë gjermane nënvizon
se marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe Berlinit janë të forta e të qëndrueshme
e nuk do të ndryshojnë si pasojë e publikimit të dokumentave të Wikileaks. Për një
koment, ia drejtuam mikrofonin pedagogut të historisë amerikane në Universitetin e
Gjenovës, Fernando Fashe: Duhet të kemi parasysh se, siç vërente gazeta “The
Guardian” ose “Herald Tribune”, janë vërtet të dhëna të rezervuara, por që administrohen
e njihen nga të paktën 3 milion amerikanë. Elementi i dytë i reflektimit ka të bëjë
me dhënien e lajmit para publikimit. E qartë, mund të krijohen probleme, por me paralajmërimin,
SHBA-të dhanë sinjalin e një politike të jashtme të hapur, fakt, që nuk mund të mungojë
në një demokraci. E ja edhe komenti i zv.drejtorit të revistës katolike “Famiglia
Cristiana” (Familja e krishterë), Fulvio Skaljone: Për Uashingtonin besoj se
pasojat nuk do të jenë aq dramatike. Mund të jenë më delikate, madje edhe të rrezikshme,
për vendet aleate të SHBA-ve. Mendoj, për shembull, për të gjitha vendet e vogla arabe,
që i kërkojnë me këmbëngulje Uashingtonit të bombardojë Iranin dhe strukturat e tij
bërthamore. Po të marrim parasysh edhe operacionin e paralajmërimit të Hilari Klintonit
në ditët e kaluara, mendoj se çështja mbyllet me kaq. Nëse do të shihnim korrespondencën
e ambasadave të tjera, do të gjenim të njëjtat komente aspak të këndshme edhe për
Barak Obamën, prandaj është një lojë, që diplomacia ndërkombëtare e njeh fort mirë.