Më 17 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Virgjilin e Salcburgut
(27.11.2010 RV)I nderuar më të gjallë, por më pas i harruar, Shenjti u rizbulua
në dioqezën e tij e u kanonizua më se pesë shekuj pas vdekjes. Kaluan edhe pesë shekuj
të tjerë, para se emri i tij të shkruhej në Martiriologun Romak. Virgjilio apo Vergilius
është shqiptimi latin i emrit Fergal, siç shqiptohet në gjuhën keltike të Irlandës,
ishullit që nuk iu nënshtrua kurrë Perandorisë romake e që u bë i krishterë përmes
predikimit të Shën Patrikut, vdekur më 461. Me të nisi jetën një Kishë, që këtu nuk
u organizua mbi bazën e dioqezeve e të famullive, por mbi bazën e manastireve e abatëve
të tyre, prijës shpirtëror të murgjërve e të populllit. Edhe Virgjili eci në këtë
rrugë. Lindi në Irlandë në fillim të shekullit VIII dhe shumë shpejt hyri në kuvendin
e Akad-bo-Cainig, ku më parë qe murg e më pas Abat dhe ipeshkëv i palodhshëm, që u
shqua për edukimin fetar të popullit dhe veprimtarinë e pakursyer në ndihmë të të
varfërve. Jetoi sipas rregullave shumë të rrepta të jetës murgare irlandeze, në përkim
me jetën e vështir të popullsisë vendase. Është një nga figurat më të njohura ndërmjet
murgjërve irlandezë që shtegtuan nëpër botë "për Krishtin". Njihet si apostull i Karincies
dhe pajtor i Salcburgut në Austri. Shën Virgjili është ungjillëzuesi i Karincies,
Stirisë e Panonisë dhe themelues i kuvendit të Shën Kandidit në Alto Adigje të Italisë.
U varros në katedralen e tij, e u harrua. Katër shekuj më vonë, katedralja u shkatërrua
nga një zjarr i papritur e, kur nisën punimet për rindërtimin e ndërtesës, u gjet
arkivoli me trupin e tij krejt të paprishur. Dukej sikur flinte. U fol për mrekulli
e njerëzit rranë nga të katër anët për t’u lutur para trupit të njeriut, vdekur katër
shekuj më parë, që dukej si i gjallë. Figura e ipeshkvit të Irlandës doli nga heshtja:
populli kërkoi të shpallej shenjt menjëherë. Procesi kanonik filloi në vitin 1230
e më pas dëshmitë për shenjtërinë e e jetës së tij u nisën për në Romë. U shpall
Shenjt nga Gregori IX më 1233. Emri i tij u shkrua në Martiriologun romak më 1740.
Shën Virgjili vijon të nderohet nga populli e të bëhet burim i shumë ngjarjeve të
mrekullueshme.