Mbrëmësoret e para të kohës së Ardhjes me Papën në Vatikan
Papa Benedikti XVI kryeson në orën 18.00, në Bazilikën e Vatikanit, kremtimin e Mbrëmësoreve
të para të së Dielës së parë të Ardhjes. Këtë vit, liturgjia ndalet te “Mbrëmja e
lutjes për jetën që lind”, gjatë së cilës, jo vetëm në Vatikan, por edhe në bashkësitë
katolike të vendeve të tjera të botës, besimtarët lutën për fëmijët e palindur akoma. Duke
iu referuar kësaj Mbrëmjeje, Ati i Shenjtë Racinger tha: “Koha e përgatitjes për Krishtlindjen
është çasti i duhur për të kërkuar mbrojtjen hyjnore mbi çdo njeri që vjen në jetë,
edhe si falenderim drejtuar Zotit për dhuratën e jetës marrë nga prindërit”. Duke
hedhur një vështrim nëpër botë, edhe kardinali-kryeipeshkëv i Parisit, André Vëngt-Trua
kryesoi Mbrëmësoret po në Bazilikën e Zemrës së Krishtit në Monmartrë, pas së cilës,
sidomos të rinjtë morën pjesë në një procesion me qirinj dhe në adhurimin e Eukaristisë,
gjatë gjithë natës. E njëjta gjë, në Kryedioqezën e Toledos në Spanjë e në Monastero
dos Jerònimos në Portugali, ku lutja u kryesua nga kardinali-patrik i Lisbonës. Mbrëmja
parapriu shugurimin e diakojve të kryedioqezës, që u bë sot, pjesë e përgatitjes së
katolikëve portugezë për Ditën Botërore të Rinisë 2011 në Madrid dhe për Takimin VI
Botëror të Familjeve 2012 në Milano. Të shumta ishin iniciativat edhe
në Irlandë: në Galuej, ipeshkvi dioqezan Martin Drenan kryesoi Mbrëmjen e lutjes për
jetën në katedralen e Zojës së Madhe e të shën Nikollës, ku u tha edhe Rruzarja.
Nga ana e saj, Konferenca Ipeshkvnore e SHBA-ve u shpërndau të gjitha dioqezave një
skemë, sipas së cilës u zhvillua lutja. Fillimisht liturgjia e Mbrëmësores, pastaj
procesioni marian e meditimi i Rruzares Shenjte.