Me të dielën e parë të Kohës së Ardhjes, për Kishën filloi viti i ri liturgjik. Imzot
Angjelo Komastrin shpjegon se ç’është Viti Liturgjik? Përgjigje: - Viti
liturgjik është rrugëtim, është kohë që lëviz duke na bërë ta rijetojmë jetën e Jezusit.
Pritjen, Lindjen, Mundimet, Ngjalljen, Rrëshajët: për ne të krishterët koha nuk ka
kuptim në se nuk lëviz rreth Jezusit e, me qenë se mësojmë gjithnjë nga Jezusi, kemi
nevojë të kthehemi vazhdimisht tek misterit i Krishtit, që të na hyjë në shpirt deri
në atë pikë, sa të mund të themi me plot gojën se jemi të krishterë, që do të thotë
njerëz të cilët kanë aromën e Krishtit.
Pyetje: - Kjo kohë, që ka në bazë
fjalën ‘Ardhje’, na bën të mendojmë se pritet diçka që do të ndodhë…? Përgjigje:
- Është e vërtetë se Koha e Ardhjes na shtyn të mendojmë se do të ndodhë diçka, por
niset nga diçka që ka ndodhur tashmë. Koha e Ardhjes niset nga Lindja e Zotit, nga
ardhja e Jezusit në histori për të hapur brënda kësaj historie, të njollosur nga mëkati,
një shteg shëlbimi. Ne e dimë se kjo tashmë ka ndodhur, Biri i Zotit është bërë njeri,
ka hyrë në historinë tonë deri në atë pikë, sa ne sot mund të themi se jemi farefis
me Zotin, sepse Zoti u bë njeri; por shëlbimi nuk është përmbushur, shëlbimi nuk është
kryer, shëlbimi nuk ka përfunduar; shëlbimi ka filluar, ka nisur si tharm, si fryt
i parë. Ne presim kthimin e Jezusit, që të përmbushet shëlbimi, që njerëzimi të çlirohet
plotësisht nga pesha e fajit e bota të çlirohet nga skllavëria e mëkatit. Ne presim
qiej të rinj e tokë të re, presim Jeruzalemin e ri e prandaj, ndërsa kujtojmë ardhjen
e Jezusit në histori, ndezim kandilin, ose më mirë të themi e mbushim me vaj – për
të shkuar pastaj të përgatitur si duhet në takimin me Zotin që vjen.