2010-11-26 18:17:15

Papa në Republikën e Beninit, në nëntor 2011.


(26.11.2010 RV)Papa pranoi ftesën për të bërë një vizitë në Republikën e Beninit, nga 18 deri më 20 nëntor të vitit të ardhshëm. Lajmi u dha sot në qytetin beninez të Kotonusë, gjatë një konference të përbashkët shtypi të autoriteteve vendase dhe Konferencës ipeshkvnore të Beninit. Vizita, me ftesën e presidentit Boni Yayi, të qeverisë së tij e të Konferencës ipeshkvnore të Beninit, inkuadrohet në kremtimet jubilare me rastin e 150-vjetorit të ungjillëzimit të vendit dhe të përkujtimit të kardinalit të ndjerë Bernardin Gantin, me të cilin Papa punoi vite radhazi në shërbim të Selisë Apostolike.
Gjatë vizitës, Benedikti XVI do t’u dorëzojë përfaqësuesve të Konferencave ipeshkvnore të mbarë Kontinentit afrikan ‘Këshillimin Apostolik’, fryt i Sinodit të posaçëm për Afrikën, mbajtur në Vatikan gjatë tetorit 2009. Që të përgatitet sa më mirë kjo vizitë - përfundon komunikata - qeveria benineze dhe Kisha katolike në Benin, do të bashkëpunojnë për hartimin e programit përfundimtar të qëndrimit të mysafirit të ndritur në këto troje.
Gjatë vitit të ardhshëm parashikohen edhe tre shtegtime të tjera ndërkombëtare të Atit të Shenjtë: në qershor, Papa do të jetë në Kroaci; në gusht, në Spanjë, për Ditën Botërore të Rinisë e, së fundi, në Gjermani: Berlin, Friburg dhe Erfurt, ndoshta gjatë shtatorit 2011.







All the contents on this site are copyrighted ©.