Më 26 nëntor 1994 Gjon Pali II krijoi kardinal Mikel Koliqin
Më 26 nëntor 1994, Papa Gjon Pali II krijoi kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqin,
njeriun që u bë simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga persekutimet e egra që shkaktoi
diktatura komuniste në Shqipëri. Nuk është e thjeshtë ta përmbledhësh me pak fjalë
jetën e kardinalit Koliqi, një nga figurat më poliedrike në historinë e Shqipërisë.
Kardinal Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e
kreu në vendlindje, për t'i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua.
Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi
duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin,
më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës. U
shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para
në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Don Ndré Zadejën. Qe
kryeredaktor i revistës "Kumbona e së Dieles". Gjatë regjimit komunist u burgos tri
herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie. Papa Gjon Pali II e emëroi prelat nderi
në janar 1992, pastaj e takoi personalisht në Shkodër gjatë vizitës së tij historike
në Shqipëri, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994. Menjëherë
pas fillimit të proceseve demokratike, kardinali Koliqi u nderua së pari me titullin
"Pishtar i demokracisë", më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para
vdekjes, me titullin më të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997.
U përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë, për të cilën mund e duhet të shkruhen
shumë libra; një jetë që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë
të jashtëzakonshme, së cilës deri tani i është kushtuar vetëm libri "Mikel Koliqi",
shkruar nga kushëriri i kardinalit, Gjon Simoni.