2010-11-26 18:17:48

Kardinali Sandri në Meshën për viktimat e sulmit në Katedralen e Bagdadit: s’ka mizori në botë, që mund ta shkatërrojë një fe, e cila vë në themel misterin e Kryqit të Krishtit.


(26.11.2010 RV)Të krishterëve u duhen krijuar kushtet për të jetuar atje, ku janë lindur. Kështu u shpreh kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, në Meshën e dritës, kryesuar në bazilikën e Shën Pjetrit, për viktimat e sulmit terrorist të 31 tetorit në Katedralen e Bagdadit, ku humbën jetën 58 persona, ndërsa 80 të tjerë mbetën të plagosur. Liturgjia, e kremtuar me nismën e Prokurës së Kishës siro-katolike të Romës, bashkëkremtuar me Fort Lumturinë e Tij, Jusefi III Junan, patrik i sirëve të Antiokisë, pati për qëllim t’i shprehë afërsinë shpirtërore bashkësisë katolike irakiane, që vijon të punojë për paqen e pajtimin në mbarë vendin.RealAudioMP3

Ishte një kremtim tejet prekës, ku ndjehej fort trishtimi për jetët e humbura, por edhe gëzimi, që i ka rrënjët në sigurinë e jetës përtej vdekjes. Bazilika u pushtua nga atmosfera e lutjes për shpirtin e të rënëve, atmosferë që u bë edhe më emocionuese gjatë homelisë, përmes së cilës kardinali Sandri hyri në misterin shëlbues të martirizimit, duke gërshetuar dëshminë e Shën Katerinës së Aleksandrisë e të Papës Leoni i Madh, që dhanë, në mënyra të ndryshme, por për të njëjtin ideal, jetën e tyre, me situatën e vështirë aktuale të shumë të krishterëve në botë:
Mendja, zemra e lutja – theksoi kardinali Sandri - shkojnë në Irak e në shumë vise të tjera të botës, ku besnikëria ndaj pagëzimit, edhe në ditët tona, paguhet me gjakun e bijve të Zotit, që na deshi deri në kryq”.
E çmuar është para syve të Zotit vdekja e besimtarëve të tij - kujtoi kardinali - e s’ka mizori në botë, që mund ta shkatërrojë një fe, e cila vë në themel misterin e Kryqit të Krishtit:
“Persekutimet nuk mund t’ia ndërpresin lulëzimin Kishës, përkundrazi, ajo vijon të zhvillohet; e ara e Zotit, vijon të pasurohet me korrje gjithnjë më të begata, kur kokrrat e grurit, të rëna një pas një, rilindin, mbijnë, rriten e mbushin plot kallëzat e reja”.
Kardinali Sandri kujtoi edhe fjalët e Atit të Shenjtë pas lutjes mariane të 1 nëntorit të kaluar:
Lutem për viktimat e kësaj dhune, sa pa kuptim, aq të egër, që goditi njerëzit e pambrojtur, të mbledhur në shtëpinë e Zotit, shtëpi dashurie e pajtimi. I shpreh afërsinë time të përzemërt bashkësisë së krishterë, të goditur përsëri, dhe u jap zemër barinjve e besimtarëve të jenë të fortë e të patundur në shpresë”.
Kështu u shpreh Papa, duke kujtuar atentatin e rëndë, që kishte ndodhur një ditë më parë në katedralen siro-katolike të Bagdadit.
Më pas, thirrja për t’i dhënë fund dhunës:
“Përballë episodeve mizore të dhunës, që vijojnë të trondisin popullsinë e Lindjes së Mesme, përsëris thirrjen time të ngutshme për paqe; ajo është dhuratë e Zotit, por edhe rezultat i përpjekjeve të njerëzve vullnetmirë e të institucioneve kombëtare e ndërkombëtare. Të gjithë duhet të bashkojnë forcat, që t’i jepet fund çdo dhune”.
Hirësia e tij e vijoi homelinë, duke kujtuar figurën e etërve Thaer e Wassim, dy meshtarë që vdiqën në sulmin e Bagdadit, të cilët u bashkuan me Shëlbuesin e botës me gjakun e tyre, duke vënë në jetë porosinë që morën, kur u shuguruan: “Imito atë që kremton!”.
Por ata, vijoi të kujtojë kardinali:
“Me korp e me gjak kumtuan vdekjen e Krishtit e shpallën ringjalljen, në pritje të ardhjes së Tij. U vërtetua premtimi i Jezusit: “Kush e dhuron jetën, ringjallet në Zotin”.
Kardinali Sandri u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre, që morën pjesë në liturgji. Ambasadorëve të shumtë të konfesioneve të ndryshme fetare, u kërkoi veprimtari konkrete pranë qeverive përkatëse, për të fovorizuar kudo bashkëjetesën paqësore të individëve e të bashkësive e për t’i rikthyer Lindjes së Afërme, fytyrën e saj shumëfetare e shumëkulturore.
Kjo kërkesë, sepse situata në Irak mbetet dramatike!







All the contents on this site are copyrighted ©.