Imzot Zimosvski: qeveritë t’u sigurojnë nënshtetasve shërbimet e nevojshme shëndetësore.
(26.11.2010 RV)Nga Konferenca XXV ndërkombëtare e Këshillit Papnor për Punonjësit
e Shëndetësisë, me temë “Kujdes më i madh e më njerëzor për shëndetin e njeriut, në
dritën e Caritas in veritate”, mbajtur në Vatikan më 18 e 19 nëntorin e kaluar, u
arrit në katër përfundime kryesore. Së pari, e drejta për mbrojtjen e shëndetit,
e njohur nga organizmat kombëtare e ndërkombëtare, duhet t’u kujtojë qeverive detyrën
për t’u siguruar qytetarëve të gjitha shërbimet e nevojshme shëndetësore. Së dyti,
burimet për sigurimin e këtyre shërbimeve, duhen shfrytëzuar me solidaritet e humanitet.
Së treti, misioni i Kishës në fushën shëndetësore, lind nga urdhëri i Zotit: “
Shkoni e shëroni të sëmurët” e gjen, në Samaritanin e mirë, paradigmën e vet. Së katërti:
mbarë shoqëria ka të drejtë të gëzojë frytin e rezultateve të reja në fushën e bio-mjekësisë,
për t’u mjekuar, për të ruajtuar shëndetin e për të shpëtuar jetën.