2010-11-26 18:18:31

Dy kremtime të Kolegjit Grek dhe të Rrethit Besa–Feja me rastin e 28 Nëntorit.


(26.11.2010 RV)Rrethi italo-shqiptar Besa-Feja, i fton përsëri shqiptarët: arbëreshë e emigrantë, të mblidhen në selinë e shoqatës, për të përkujtuar përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë, pa praninë fizike të Monsinjor Eleuterio Fortinos, por me vetëdijen fatlume se vepra fetare e atdhetare e nisur prej tij, vijon.
Përkujtimit të 28 nëntorit 1912, i kushtohen dy kremtime, simbol i atij binomi, që ishte e është në bazë të çdo veprimtarie të Kishës Katolike ndër shqiptarë: Fe- Atdhe”.
Kremtimi i parë do të mbahet të shtunën e ardhshme, më 27 nëntor, në orën 17, si gjithnjë në selinë e ‘Besa-Fede’, në via dei Greci, 46, Romë. Do të paraqiten Aktet e Sinodit ndërheparkial të tre Qarqeve Bizantine në Itali (Heparkitë e Ungros e të Horës së Arbëreshëve si dhe të Manastirit Ekzarkik të Shën Marisë të Grota Ferratës). Pjesëmarrësit do të kenë rastin të ndjekin fjalën e Arkimandritit, Profesor Atë Manuel Nin, të Arkimandritit Donat Olivieri, të Monsinjor Natale Loda.
Punimet e takimit do t’i drejtojë, si zakonisht, Profesor Domeniko Moreli.Kremtimi i dytë do të jetë ai i së dielës, 28 nëntor, në orën 10. 30. Vendtakimi, si për vit, Kisha e Shën Athanasit, në via del Babuino, 149. Liturgjinë hyjnore në gjuhën shqipe do ta kryesojë Arkimandriti Donato Olivieri.







All the contents on this site are copyrighted ©.