2010-11-26 18:17:01

Ati i Shenjtë rregulltarëve: të jeni Ungjill i gjallë, shpallini botës Zotin “e panjohur”


(26.11.2010 RV)Të jeni “Ungjill i gjallë”, të dëshmoni bukurinë e fesë, për t’i shpallur botës Zotin, që ajo s’e njeh më: kështu u tha sot Papa përgjegjësve të Kongregatave rregulltare mashkullore e femërore, që i takoi në Vatikan me rastin e Asamblesë së Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm.RealAudioMP3
Papa u foli atyre, që kanë vendosur me dëshirë ta jetojnë fenë tërësisht, duke hequr dorë nga gjithçka për të ndjekur Jezu Krishtin. U foli rregulltarëve, që vuajnë e rrezikojnë jetën për të dëshmuar Ungjillin dhe i falenderoi kongregatat për impenjimin e tyre në fushën shoqërore e në edukim, si edhe për ndihmën, që u japin të varfërve. Kjo dëshmi, theksoi Benedikti XVI, fillon, në radhë të parë, nga kërkimi i Zotit:
“Kaloni nga gjërat dytësore në ato thelbësore, në gjithçka është vërtet e rëndësishme; kërkoni të fundmen, kërkoni Zotin, mbajeni vështrimin të ngulur mbi Të. Ashtu si murgjërit e parë, kultivoni orientimin eskatologjik: pas së përkohshmes kërkoni atë që mbetet, atë që nuk kalon… Qofshi gjithnjë kërkues e dëshmitarë të apasionuar të Zotit!”
Përtëritja e jetës së shuguruar, pohoi Papa, fillon nga Mesha, duke vënë në qendër të jetës Fjalën e Zotit, e cila duhet zbatuar:
“Është Ungjilli i jetuar çdo ditë, elementi, që i jep bukuri e nur jetës së shuguruar e ju paraqet para botës si alternativë e besueshme. Për këtë ka nevojë shoqëria aktuale, këtë pret nga ju Kisha: të jeni Ungjill i gjallë”.
Pa harruar uljen e numrit të thirrjeve, sidomos në Evropë, e duke dhënë këshilla për kapërcimin e vështirësive të jetës së përbashkët me lutje e reflektim, Papa nënvizoi se misioni është pjesë përbërëse e identitetit të çdo rregulltari, i cili duhet t’ua çojë Ungjillin të gjithëve, pa dallim:
“Shkoni pra, e me besnikëri krijuese bëjeni tuajën sfidën e ungjillëzimit të ri. Përtërijeni praninë tuaj në areopaget e sotme për të shpallur, siç bëri shën Pali në Athinë, Zotin ‘e panjohur’”.







All the contents on this site are copyrighted ©.