2010-11-25 16:06:19

Liria fetare: censurë dhe dhunë. 50 milionë të krishterët në rrezik.


U paraqit raporti 2010 mbi lirinë fetare nëpër botë përpiluar nga ACS (Ndihmë Kishës që Vuan) në gjashtë gjuhë. “Diskriminime, kontrolle, ndalime, censurë dhe pastaj arrestime e dhunë kryer mbi bazën e disa ligjeve që janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Kalohet nga format më të thjeshta të frikësimit deri tek veprat më ekstreme. 70% e popullsisë botërore jeton në Vende ku ka persekutim fetar.” kështu thuhet në këtë raport.
Ndër këto Vende, 50 milionë janë të krishterë. Është e qartë se në këto shifra përmblidhen situata shumë të ndryshme nga njëra-tjetra por i bashkon një fakt tronditës: mohimi me dhunë i besojmës dhe i shprehjes së mendimit të lirë.
“Vetëm në Kinë dhe Indi janë afro 2,5 miliardë vetë që rrezikohen për shkak të mungesës së lirisë së fesë e të kultit.” Pikërisht Kinës, - ku më 20 nëntor u shugurua një ipeshkëv pa miratimin e Selisë së Shenjtë, - i kushtohet edhe pjesa kryesore e këtij raporti, raport i cili përbëhet nga 196 skeda për secilin vend ku tregohet situata ndërkombëtare, nga janari 2009 deri në prillin e 2010. “Sipas burimeve të ndryshme, në Kinë ka me dhjetra meshtarë katolikë të internuar nëpër kampe përqendrimi ose në kampe pune. Po ashtu ka edhe afërsisht dhjetë ipeshkvij që gjenden në izolim.” – vë në dukje raporti, i cili nënvizon qartë dallimin ndërmjet Kishës besnike e Selisë së Shenjtë dhe asaj që i është nënshtruar regjimit komunist.
Por të krishterët nuk persekutohen vetëm në Kinë. Në Irak, sidomos pas luftës së parë të Gjirit Persik, barazimi i gabuar ndërmjet të krishterëve dhe interesave perëndimore, ka çuar në persekutimin sistematik të krishterëve, këtu por edhe në vendet e tjera islamike.”- thekson ambasadori italian pranë Selisë së Shenjtë Francesko Maria Greko. Sipas shifrave cituar nga shkrimtari Renè Gitò, prej vitesh tashmë i impenjuar në dialogun ndërfetar dhe kulturor ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, “janë më shumë se 50 milionë të krishterët viktima të persekutimeve, përçmimeve dhe diskriminimeve nëpër botë.”
E Iraku është një ndër pikat më të nxehta. Vetëm gjatë muajve të fundit gati 1.700 familje janë larguar nga Mosuli kurse në Bagdad lagje të tëra janë braktisur nga të krishterët.
Po ashtu ligjet kundër apostazisë dhe blasfemisë që parashikojnë deri edhe dënimin me vdekje, janë shpesh herë një mjet për të justifikuar sulmet dhe hakmarrjet personale.
Në Pakistan nga 1986 deri në më sot, llogariten më se një mijë vetë akuzuar për këtë vepër penale.







All the contents on this site are copyrighted ©.